Në 108 vite shtet Shqipëria numëron 33 kryeministra, ose një kryeministër për tre vjet. Por nëse heqim 27 vitet e Mehmet Shehut dhe 9 vitet e Adil Çarçanit, shteti, populli janë përballur me ndërrime të shpejta të qeverive.
Ish kryehetuesi i diktaturës, Qemal Lame në librin e tij “Miq dhe armiq”, i cili po botohet pjesë-pjesë publikisht në BalkanWeb, jep detaje interesante nga jeta e atyre që kanë drejtuar Shqipërinë.
Kryeministri më jetëgjatë në vend ka qenë Mehmet Shehu, 27 vite, i ndjekur nga Enver Hoxha me 10 vjet, Adil Çarçani (tani edhe Edi Rama) 9 vite dhe Sali Berisha 8 vite.
“10 kryeministra janë dënuar me vdekje, pra një e treta e tyre. Nga 33 kryeministra, 10 prej tyre janë dënuar me vdekje. Ata janë: Ahmet Zogu, Fan Noli, Maliq Bushati, Ibrahim Biçakçiu, Kostaq Kota, Shefqet Verlaci, Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Ekrem Libohova dhe Fiqiri Dine”, shkruan Lame në librin e tij.
Nga Qemal Lame
Epokat historike të kryetarëve të shtetit shqiptar
Shoqëria njerëzore hodhi hapin e madh të zhvillimit të saj me normat e zakonet që rregulluan e garantuan në mënyrë të ndërgjegjshme sjelljen dhe veprimet e personit dhe të bashkësisë në tërësi, të cilat formuan qelizat e para të marrëdhënieve e të organizimit shoqëror e gradualisht të atij shtetëror të bazuar në pronën kolektive e më pas në pronën private mbi mjetet dhe veglat e prodhimit. Me përsosjen e këtyre marrëdhënieve u krijua dhe u ndërtua shteti në komunitetin primitiv, në rendin skllavopronar, borgjez e kapitalist.
Pas Revolucionit të Tetorit më 1917 u propagandua shoqëria tranzitore e socializmit e më pas komunizmi si rendi më i lartë i shoqërisë, i bazuar në marrëdhëniet shoqërore e pronën shtetërore dhe atë kolektive. Por ajo dështoi me zbatimin e sistemit politik të diktaturës së klasës punëtore, në pronën shtetërore dhe atë kolektive në bujqësi, të mjeteve dhe veglave të prodhimit, shkoi drejt falimentimit të ekonomisë, dhunës shtetërore, shkeljes së të drejtave dhe lirive etj.
Gjatë gjithë historisë së suksesshme të qytetërimeve është zhvilluar edhe një luftë e ashpër për pushtet me pasoja të rënda për shoqërinë dhe vetë personalitetet e larta shtetërore. Marrja e pushtetit, mjetet e qëllimet e përdorura, intrigat, vrasjet e hapura e të fshehta, komplotet etj, përbëjnë anën e errët të pushtetit, të miteve e të legjendave, të fakteve, dëshmive arkivore, si dhe të njerëzve të viktimizuar.
Vrasjet politike janë tipike për shtetet diktatoriale dhe sundimtarët që drejtojnë me egërsi primitive për të ruajtur përjetësisht pushtetin e tyre absolut. Pothuajse në të gjitha rendet shoqërore dhe sistemet politike, të lindura pas revolucioneve apo luftërave, pushteti krijohet, merret e mbrohet me dhunë, kryhen edhe krime të organizuara shtetërore për të eliminuar kundërshtarët politikë. Ndryshimet paqësore kanë qenë të pakta. Në demokracinë pluraliste perëndimore transferimi paqësor i pushtetit realizohet me votën e lirë të popullit. Megjithatë, edhe në demokracitë e idealizuara bëhen premtime jashtë mundësive reale, ndodhin manipulime të votave e zgjedhjeve, tensione politike etj.
1. Krerët e ilirëve – shqiptarëve me kontribute në historinë e shoqërisë njerëzore
Nga lashtësia trashëgojmë një histori të lavdishme të qytetërimit shqiptar me kontribute në zhvillimin dhe përparimin e qytetërimit evropian dhe atij botëror. Studiuesit po hedhin dritë në prova të reja për qytetërimin e lashtë të shqiptarëve në vepra monumentale si Iliada e Homerit, Lufta e Trojës, Aleksandri i Madh, Piroja i Epirit, perandorët romakë me origjinë shqiptare, kur Roma fliste shqip etj.
Gjergj Kastriot Skënderbeu, mbreti i shqiptarëve, Heroi Kombëtar, mbetet emblema ikonë e vlerave të shquara të kombit shqiptar dhe mbrojtës i qytetërimit evropian nga pushtimi prej Perandorisë Osmane. Ai nderohet me mirënjohje kudo në botë dhe është përjetësuar me shumë monumente, më shumë se 2000 libra të botuar etj. Gadishulli Ilirik u emërtua Gadishulli Skënderbeg.
2. Krerët e shtetit modern shqiptar
Që nga themelimi më 28 nëntor 1912, Shqipëria ka provuar disa modele qeverisjeje, përfshirë protektoratin ndërkombëtar, monarkinë, regjimin njëpartiak si dhe republikën parlamentare. Gjatë kësaj periudhe funksioni I kreut të shtetit është ushtruar në forma të ndryshme. Më 1912 u krijua qeveria e parë me Ismail Qemalin në krye. Ai përmbushte edhe kompetencat e Kreut të Shtetit. Shteti shqiptar dhe drejtimi i tij do të kushtëzohej nga vendimet e Fuqive të Mëdha të kohës. Më 6 shkurt 1914 Konferenca e Ambasadorëve emëroi Princin Wilhelm Wied monark të principatës së Shqipërisë.
Në periudhën shtator 1914 – janar 1920 Shqipëria u bë shesh lufte duke ndërruar disa qeveri. Roli i kreut të shtetit u mbulua nga qeveri-regjenca të ndryshme. Më 8 janar 1920 Kongresi i Lushnjës zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash: Kryeregjent Aqif pashë Elbasani, imzot Luigj Bumçi, Mihal Turtulli, Abdi bej Toptani, i cili do të kryente funksionet e kreut të shtetit. Duke rikthyer parlamentarizmin në vitin 1924, Fan Noli u zgjodh kryetar i qeverisë, duke ushtruar edhe funksionet e kreut të shtetit. Pas ndryshimeve të shpeshta në qeverisje, më 31 janar 1925 Asambleja Kombëtare miratoi formën republikane të regjimit dhe votoi Ahmet Zogun si President të Republikës. Më 1 shtator 1928 Shqipëria u shpall Monarki dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqipëtarëve. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill 1939 dhe bashkimit të kurorave të dy vendeve, Viktor Emanueli III u bë Mbret i Shqipërisë. Vitet 1943-1944 nën pushtimin gjerman rikthejnë qeverisjet-regjenca.
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Çlirimi i Shqipërisë më 1944 u shoqërua me zgjedhjet e para parlamentare të dhjetorit të vitit 1945 dhe me kalimin e funksionit të Kreut të Shtetit në organ kolegjial, si Presidium i Kuvendit Popullor. Në periudhën 11 janar 1946 – 12 dhjetor 1990, gjatë së cilës Shqipëria udhëhiqej nga komunistët, funksionet e Kreut të Shtetit u kryen nga Omer Nishani (10 janar 1946 – 1 gusht 1953), Haxhi Lleshi (1 gusht 1953 – 22 nëntor 1982) dhe Ramiz Alia (22 nëntor 1982 – 22 shkurt 1991). Më 22 shkurt 1991 u krijua Këshilli Presidencial i drejtuar nga Ramiz Alia, i cili i ushtroi funksionet deri më 30 prill 1991. Më 30 prill 1991, me zgjedhjen e Presidentit të Parë të Republikës Parlamentare nga ana e një parlamenti shumëpartiak, krijohet institucioni kushtetues i Presidentit të Republikës.
– Kryeministrat e Shqipërisë të akuzuar, dënuar e viktimizuar për motive politike.
E para, qëndrimi në detyrë.
Në 108 vjet shtet Shqipëria numëron 33 kryeministra, pothuajse një kryeministër për 3 vjet. Po të heqësh 27 vitet e Mehmet Shehut dhe 9 vitet e Adil Çarçanit, shteti, populli janë përballur me ndërrime të shpejta të qeverive.
E dyta, koha dhe mosha në detyrë.
27 vjet kryeministër Mehmet Shehu. Ai është më jetëgjati në detyrë në historinë e shtetit shqiptar, por edhe në botë. Ky është një rekord për Guinness që ka pak gjasa të thyhet. Pas tij, kryeministri i dytë më jetëgjatë është Enver Hoxha me 10 vjet, Adil Çarçani me 9 vjet dhe Sali Berisha me 8 vjet, me kohën më të gjatë në detyrë pas vitit 1990, duke lënë pas Aleksandër Meksin me 5 vjet, Fatos Nanon me 4.5 vjet dhe Ilir Metën me 2 vjet.
1 ditë kryeministër
Kryeministri me jetëshkurtër në detyrë është Qazim Koculi. Ai qëndroi kryeministër një ditë, ose më saktë 12 orë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pas tij vjen Hasan Prishtina me 5 ditë kryeministër, Idhomeno Kosturi me 12 ditë.
Mosha:
Ahmet Zogu është kryeministri në detyrë në moshën më të vogël. Ai ishte 27 vjeç e 67 ditë kur mori detyrën në 2 dhjetor të vitit 1922.
81 vjeç kryeministër Turhan pashë Përmeti ishte 81 vjeç kur e la detyrën në janar të vitit 1920, duke mbajtur edhe rekordin e kryeministrit shqiptar në moshën më të madhe në detyrë. Pas tij është Pandeli Evangjeli, i cili ishte 76 vjeç kur la detyrën e kryeministrit në vitin 1935.
2 metër i gjatë kryeministër
Edi Rama është kryeministri më i gjatë në historinë e kryeministrave.
E treta, kryeministra të burgosur
3 kryeministra të dënuar me burg. 3 kryeministra pas vitit 1990 janë dënuar dhe kanë vuajtur dënimin në burg. Adil Çarçani u dënua me 15 vjet, por bëri 3 vjet, i dënuar për abuzime me pushtetin gjatë regjimit të mëparshëm. Fatos Nano u dënua dhe bëri 4 vjet burg për abuzime me ndihmat italiane. Vilson Ahmeti, i dënuar për skandalin “Arsidi”, bëri 2 vjet burg.
E katërta, kryeministrat e dënuar me vdekje e të pushkatuar
10 kryeministra janë dënuar me vdekje, pra një e treta e tyre. Nga 33 kryeministra, 10 prej tyre janë dënuar me vdekje. Ata janë: Ahmet Zogu, Fan Noli, Maliq Bushati, Ibrahim Biçakçiu, Kostaq Kota, Shefqet Verlaci, Rexhep Mitrovica, Mustafa Kruja, Ekrem Libohova dhe Fiqiri Dine.
Numrin më të madh e kanë kryeministrat që kanë qeverisur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që regjimi komunist i shpalli kriminelë lufte dhe i dënoi me vdekje në mungesë, duke pretenduar dhe kërkuar zyrtarisht që Fuqitë e Mëdha t‘i dorëzonin te shteti shqiptar.
Mes 10 të dënuarve me dënim kapital janë ekzekutuar dy prej tyre:
Maliq Bushati u pushkatua dhe Kostaq Kota vdiq në burg. Ahmet Zogu dhe Fan Noli kanë dënuar njëri-tjetrin me vdekje, pas kryengritjes së vitit 1924, kur Noli erdhi në pushtet dhe në dhjetor të atij viti, kur Zogu erdhi sërish në pushtet me ndihmën e Serbisë.