Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një draft me ndryshime në lidhje me të drejtat dhe trajtimin e personave të denuar me burgim dhe të paraburgosurve. Ky draft vjen në një kohë kur kanë qenë jo të pakta rastet që të dënuarit kanë komanduar nga brenda trafikun e drogës apo urdhëruar vrasje.
Në këtë kuadër, është përgatitur një p/ligj i ri me ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar me burgim dhe të paraburgosurve”.
Konkretisht, një nga pikat e ndryshuara në këtë ligj ka të bëjë me përforcimin e sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë përmes një regjimi të posaçëm, që vendoset për sigurinë e institucioneve, kryesisht në parandalimin e lidhjeve të mëtejshme me botën e krimit për personat që vuajnë dënimin në burgjet e sigurisë së lartë për vepra penale në veçanti të rrezikshme, duke ndihmuar kështu dhe në shkëputjen përfundimtare të tyre nga krimi.
Një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshme të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme. Në të tilla raste, me kërkesën edhe te Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij të aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë, duke parashikuar kështu një mekanizëm të ri të bashkëpunimit mes sistemit penitenciar dhe atij të mbrojtjes së rendit, si një përgjigje e përbashkët në luftën kundër kriminalitetit, siç mund të jenë veprat penale që lidhen me akte terroriste apo me organizata kriminale.
Ministria e Drejtësisë ka arsyetuar nevojën e nxjerrjes së këtij projektligji për t’u përgjigjur nevojave reale për rritjen e sigurisë publike jashtë, përmes rritjes së sigurisë së brendshme, në burgje.
Projektligji parashikon, gjithashtu, vendosjen në mënyrë taksative të subjekteve që vuajnë dënimin e tyre në një burg të sigurisë së lartë, pa qenë nevoja qe të shprehet gjykata posaçërisht për këtë fakt, çka ka lënë vend për abuzime në praktikën e deritanishme.
Pikat kryesore të parashikuara në projektligj:
a) Masa të sigurisë së lartë të brendshme dhe të jashtme, kryesisht në lidhje me nevoja për të parandaluar kontaktet me të dënuarit e tjerë, lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë apo me persona me precedentë penalë.
b) Lejimin e një takimi në muaj, në interval kohor të përcaktuar, në ambiente që nuk lejojnë kalimin apo dhënien e sendeve gjatë takimit.
c) Lejimin e takimeve vetëm me familjarë, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme, kur njoftimi është bërë më parë dhe me miratimin e drejtorit të institucionit.
d) Lejimin e një bisede mujore telefonike me familjarët apo bashkëjetuesin, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila mund të regjistrohet.
e) Kufizim në sendet që mund të marrë nga jashtë, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të institucionit.
f) Kontroll i korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji.
g) Kufizimi i kohës së shpenzuar jashtë, e cila nuk mund të kryhet në grupe prej më shumë se katër personash, nën mbikëqyrje të posaçme, për të siguruar pamundësinë absolute të komunikimit midis të burgosurve.