“Kur të ma bini fjalën se më ka lindur djalë, do të zbraz njëqind e një top, e nëse më sillni lajmin se më ka lindur vajzë, unë do ta pres vajzën me gjithë të ëmën”.
Kështu nis njëra nga përmbajtjet mësimore me titull “Vajza që u bë djalë”, të librit të leximit për klasën e katërt për shkollimin fillor, shkruan Koha Ditore. Librit shkollor që botohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë së Kosovës (MASHT), bashkë me afro 170 tituj të tjerë që Ministria u ndan falas nxënësve të arsimit të detyrueshëm.
Mësimet si ky dhe të tjerë të ngjashëm edhe në këtë vit shkollor janë identifikuar si pjesë të përmbajtjeve të librave shkollorë, megjithëse zyrtarë të Ministrisë së Arsimit patën premtuar kujdes të shtuar gjatë ribotimit të tyre, pasi që rreth përmbajtjeve të tyre ka pasur vërejtje dhe kritika të shumta nga prindërit, mësimdhënësit, pedagogët dhe psikologët në vitin e kaluar shkollor.









