Ministri i Punëve të Brendshme (MUP) i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish e ka përdorur termin pezhorativ “shiptari”, duke injoruar një vendim të gjykatës në Serbi, sipas të cilit termi është “politikisht i pasaktë dhe ofendues”.
Vullin komentet i bëri gjatë një vizite në Administratën Koordinuese për Kosovën në Kurshumli, që gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën. Ai pjesëtarëve të policisë u dhuroi dy automjete dhe pajisje tjera të sigurisë.
“Prerjet e shpeshta ilegale në këtë zonë janë shqetësuese për të gjitha organet shtetërore të Republikës së Serbisë dhe ne jemi veçanërisht të shqetësuar sepse bandat e ‘shiptari’ shumë shpesh mbajnë armë dhe hapin zjarr”, tha Vullin.
Më parë, Vullin iu kishte përgjigjur kritikave për përdorimin e këtij termi pezhorativ, duke thënë se “ai do të vazhdonte t’i quante shqiptarët ashtu siç e quajnë ata veten”.
Ajo gjashtë vjet më parë paraqiti mendimin se dy tabloide në Serbi, shkelën Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit sepse ata i quanin shqiptarët “Shiptari”.
Të njëjtin term pezhorativ, Vullin e kishte përdorur edhe në fillim të muajit tetor, duke nxitur reagime në Prishtinë dhe Tiranë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pati bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që ta dënojë deklaratën e minsitrit Vulin. Rama kishte thënë që uron që deklarata e Vulinit të jetë një shaka “përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë“, të cilën presidenti serb duhet ta dënojë “pa asnjë dyshim”.
Më 2 tetor, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, u kishte dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Kuintit, ku kishte thënë e “fjalimi ksenofobik i Aleksandar Vulinit kundër shqiptarëve meriton dënim të fuqishëm, për shkak të lëvizjeve të turpshme dhe shoviniste të Qeverisë së Serbisë”.
Deklarata e Vullinit u bë pas nënshkrimit të marrëveshjes së arritur më 2 tetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilën është thënë se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.