Me ftesë të homologut hungarez, Kristóf Szalay-Bobrovniczky, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari, e cila nisi me pritjen solemne në Sheshin e Heronjve në Budapest.
Ceremonia, me simbolikë të veçantë historike, shërbeu si moment reflektimi dhe nderimi për sakrificën e forcave të armatosura shqiptare dhe hungareze, si dhe si dëshmi e vlerave të përbashkëta që lidhin dy vendet, lirinë, paqen dhe sigurinë kolektive.
Gjatë vizitës u theksua angazhimi i përbashkët i Shqipërisë dhe Hungarisë në kuadër të Aleancës, si dhe bashkëpunimi konkret i trupave të dy vendeve që shërbejnë krah për krah në misione kyçe ndërkombëtare, përfshirë KFOR dhe EUFOR në Bosnje e Hercegovinë.
Vizita konfirmoi vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në funksion të stabilitetit rajonal dhe euroatlantik.











