Ministri i jashtëm i Maqedonisë Poposki ka sulmuar haptazi Shqipërinë dhe Kosovën duke kërkuar që të mos ketë ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të tij. Nikolla Poposki i është referuar gjithashtu edhe takimit të Ramës me liderët e partive politike maqedonase, duke e cilësuar si të pahijshëm dhe aspak të përshtatshëm “ndërhyrjen” e qeverisë në punët e brendshme të Maqedonisë. Madje kreu i diplomacisë maqedonase e ka etiketuar si vendosje të minave sjelljen e Shqipërisë, që sipas tij mund të vendosin të gjithë rajonin në rrezik.
“Nuk është e hijshme, por as e përshtatshme, kur kryeministri ose kryetari i shtetit fqinj drejtpërdrejt përzihen në punët e brendshme, veçmas jo në periudhë pas zbatimit të zgjedhjeve në mënyrë demokratike dhe përpara formimit të Qeverisë.
Po dërgohen sinjale të gabuara në rajon. Shumë larg është nga praktika e fqinjësisë së mirë. Nëse të gjithë kemi pajtueshmëri se ardhmëria jonë është në Evropë, atëherë lufta është që të sigurojmë stabilitet, paqe, drejtësi dhe prosperitet ekonomik për të gjithë qytetarët.
Gjithmonë kemi qenë plotësisht korrekt në bashkëpunim me fqinjët. Më së miri do të jetë që edhe ato të na bashkohen në këtë rrugë, në vend që të vendosin mina të cilat sjellin rrezik për të gjithë”- ka thënë ministri.
Reagimi i tij vjen pas platformës së përbashkët të partive shqiptare BDI, Lëvizjes BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, e cila ka zhvilluar takime me krerët e Shqipërisë dhe Kosovës. Paraprakisht, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar se Tirana nuk lidhet me asnjë rast me skenarët e mundshëm për krijimin e Qeverisë në Maqedoni./java/a.k









