Ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Adriatik Kupi, bashkë me zyrtarë të tjerë, morën pjesë sot në meshën e Pashkës në një nga Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), ku përcolli një mesazh për të paraburgosurit që festojnë këtë ditë të shenjtë.
Gjatë fjalës së tij, Ministri u ndal te kuptimi i Ringjalljes si një moment që tejkalon idenë e fundit dhe rikthen shpresën për një fillim të ri. Duke iu referuar Bibla, ai citoi vargun “Ai nuk është këtu; u ringjall” (Luka 24:6), duke theksuar se kjo ngjarje përfaqëson një kthesë të thellë në mënyrën si kuptohet e ardhmja e njeriut.
“Në një vend si ky, ku çdo ditë lidhet me përgjegjësi dhe reflektim, mesazhi i Pashkës është se njeriu nuk është i mbyllur përfundimisht në të shkuarën e tij,” u shpreh Ministri.
Ai theksoi se drejtësia ka rolin e saj në vendosjen e kufijve dhe përgjegjësisë, por duhet të mbetet e lidhur me mundësinë e ndryshimit dhe riintegrimit. Sipas tij, Ringjallja nuk e mohon të shkuarën, por hap një perspektivë të re për të ardhmen.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe reflektuese, në prani të përfaqësuesve të institucionit dhe shërbimit fetar, ndërsa Ministri uroi të gjithë besimtarët për Pashkën.











