Me rastin e Ditës Botërore të Hepatitit, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vizitoi qendrën shëndetësore të specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, nga ku bëri thirrje qytetarëve për t’u kontrolluar për virusin e Hepatitit.
Ministri i Shëndetësisë, tha se në kuadër të kësaj dite zhvillohen vizita falas në të gjithë Shqipërinë.
“Sot është dita botërore e Hepatitit dhe ne në Shqipëri duke iu bashkuar dhe nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë organizojmë sot aktivitete të veçanta për të ndërgjegjësuar të gjithë njerëzit, për të qenë pjesë e një komunikimi të mirëfilltë me intitucionet shëndetësore , për të parandaluar këtë sëmundje apo për t’u diagnostifikuar në një stad të hershëm. Sot, në këtë poliklinikë dhe në disa qendra të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë, organizohen testime , ku njerëzit ftohen të vetëkontrollohen për këtë lloj sëmundje”, theksoi Beqaj.
Në lidhje me 12 vitet e fundit, Beqaj u shpreh se grupmosha nga 0-18 vjeç nuk janë të rrezikuar aspak nga Hepatiti B.
Ministri Beqaj nënvizoi se në 10 -12 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm, praktikisht në moshat 0-18 vjeç ne kemi prevalencë zero. Në grupet e riskut, kemi një mbulim vaksinimi në 98 % por besojmë se është e domosdoshme që të zgjerojmë dhe të punohet me të gjithë popullatën”.
“Po ashtu, vitet e fundit kemi pëfshirë në skemat tona të mjekësimit edhe listën e rimbursimit, së bashku me barnat e reja , të cilat janë në gjendje të mjekojnë me efektivitet ato raste kur sëmundjet kapen në rastet shumë të avancuara. E keqja e hepatit është që mund të shkojnë deri në tumore të mëlçisë.’, tha ministri Beqaj.