Moviola është sport më vete në Itali dhe gjykimi i ndeshjes së mbrëmshme midis Milanit e Juventusit u ka dhënë shumë material të apasionuarve pas kapjes së arbitrave në gabim. Për kryendeshjen e javës së nëntë ishte caktuar Nicola Rizzoli, arbitri më i mirë italian, por gabimet nuk kanë munguar, përfshirë edhe ato me peshë, siç ishte rasti i golit të Juventusit, anuluar padrejtësisht për pozicion jashtë loje.
Një situatë e vështirë ajo e golit, qartësuar vetëm pas përsëritjeve televizive: Në goditjen e lirë të ekzekutuar nga Pjaniç, Bonucci vrapon drejt topit, duke ndikuar në ndërhyrjen e portierit. Rizzoli, pas protestave të Milanit dhe konsultimit me ndihmësit, anulon golin, për pozicion jashtë loje. Vendim i gabuar, sepse në pozicion jashtë loje ishte Benatia, i cili nuk ndërhyri në aksion, ndërsa Bonucci niset nga pozicion i rregullt.
Në vendimet e tjera të diskutueshme janë një numër ndërhyrjesh të pandëshkuara me karton të verdhë, ku më të rëndësishme janë në pesë minutat e fundit të takimit, kur Pjanic godet Donnarummën në kokë me taka dhe Poli godet me bërryl Dani Alves. Të dy ishin me nga një karton të verdhë dhe Rizzoli u ka kursyer kartonin e dytë, me pasojë daljen nga loja.
Cm/d.i.