Një 42-vjeçar nga Tirana, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia franceze si pjesëtar i një grupi kriminal të organizuar, që bën trafikimin në sasi të mëdha të kokainës në Europë është arrestuar dje nga policia Kufitare e Kapshticës, teksa po tentonte të kalonte për në Greqi me dokumente false, raporton BalkanWeb.
Bëhet fjalë për Domart Konjarin, i cili sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës njihet si anëtar i bandës së “Rrugës Bardhyl” dhe mik i Franc Konomit, (ky i fundit vrarë me 8 korrik të vitit 2010). Ndërkohë, mësohet se Konjari ka tentuar të korruptonte punonjësin e Policisë Kufitare duke i ofruar një shumë prej 50 eurosh. Gjithashtu, ka përfunduar në pranga edhe një 35-vjeçar nga Tirana, i cili po transportonte 42-vjeçarin për në vendin fqinj.
Sipas policisë, Domart Konjari u prangos gjatë përpunimit të dokumenteve në dalje të Republikës së Shqipërisë për në shtetin grek. Kjo për faktin se punonjësi i policisë Kufitare të Kapshticës ka dyshuar se ky shtetas e kishte pasaportën të falsifikuar. Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare kanë bërë bllokimin e pasaportës dhe shtetasit të sipërpërmendur, ku në përfundim të veprimeve të para është bërë arrestimi në flagrancë i tij.
Burime pranë grupit hetimor pohuan se Konjari ka paraqitur një pasaportë biometrike me gjeneralitetet e një personi tjetër dhe se ai është identifikuar nga shenjat e gishtave. “Problemi është se si 42-vjeçari ka mundur të nxjerrë pasaportën biometrike me të dhënat e një personi tjetër. Nëse nuk do të ishte aparatura për verifikimin e shenjave të gishtave, do të ishte i vështirë identifikimi i tij”, thanë burimet nga policia e Korçës.
Sipas këtyre burimeve, nga verifikimet e kryera në sistem, në lidhje me këtë rast, ka rezultuar se Domart Konjari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze për veprën penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës”. Po sipas bluve, Konjari është person me rrezikshmëri, pasi bën pjesë në një grup kriminal që merret me trafikimin e kokainës në Europë nga vendet e Amerikës Jugore.
Materialet në ngarkim të tij iu përcollën për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Korçës për veprat penale: “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Në vijim të hetimeve, policia Kufitare e Kapshticës ka vënë në pranga dhe shtetasin Elton Çela. 35-vjeçariu kap, pasi ka tentuar të ndihmonte Domart Konjarin për të kaluar kufirin nga Shqipëria për në Greqi, duke e transportuar me automjetin e tij dhe dukë dalë si garant në autoritet policore shqiptare. Çela akuzohet për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.
BalkanWeb