Çdo natë një festë edhe më e madhe se ajo e mëparshmja në Korçë, ku të shtunën është shënuar mbrëmja e 4 Festës së Birrës.
Birra e mirë por edhe muzika e sjellë nga artistë të mëdhenj të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare ka tërhequr edhe këtë natë me qindra njerëz, mes tyre të panumërt dhe turistë të huaj.
“Nuk është hera e parë që vij këtu. Jam nga Greqia. Është gjithçka magjike këtu. Arsyeja pse kam ardhur në fakt është Elvana Gjata, se Dhespina Vandinë duke qenë grek e kam dëgjuar edhe herë të tjera”.
“Është hera e parë, shumë bukur. Me thënë të drejtën u kënaqëm”.
“Është një vend ku takohemi të gjithë, pimë birrën tonë, dëgjojmë muzikë dhe shikojmë njerëz që ndoshta nuk i kemi parë”.
“Nata është shumë e bukur, kemi këngëtarë shumë të mirë; Elvana Gjatën, Dhespina Vandi. Është një atmosferë e mrekullueshme, shpresoj të kalojmë shumë mirë të gjithë”.
Elvana Gjata e Dhespina Vandi kanë ndezur atmosferën e një mbrëmje që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit.
Nata e pestë dhe e fundit e kësaj të diele do të ngjisë në skenë vëllezërit korçarë Endri e Stefi si dhe këngëtaren greke aq të dashur dhe nga shqiptarët Keti Garbi.
Çdo vit e më shumë Festa e Birrës e nisur 17 vite më parë, po e kthen Korçën në qendrën më të populluar në mesin e Gushtit, aq sa bashkia po mendon një tjetër vend për organizimin e saj por dhe aktivitete të tjera kulturore që janë shtuar në qytetin juglindor.