Kur kanë mbetur më pak se një muaj nga ceremonia e ndarjes së çmimeve, fituesi i “Topit të Artë 2018” është kthyer në një kryefjalë të mediave sportive.
Kudo lexon se fitues i tij nuk do të jetë as Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo, por një futbollist kampion bote. Dhe këtë fakt e përforcon më shumë ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini që beson se Raphael Varane është zgjedhja e qartë për të fituar Topin e Artë.
“Ka vetëm një lojtar që ka fituar Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës dhe ai quhet Varane. Ai është një lojtar i shkëlqyer, shumë i mirë. Rezultatet janë gjëja e vetme objektive dhe gjithçka tjetër është subjektive. Ju mund të keni mendimin tuaj për Griezmann, Mbappe, Giroud, Lloris, Modric … por i vetmi lojtar që ka fituar gjithçka është Raphael Varane. Ky çmim nuk është vetëm për sulmuesit, pasi më parë ishte një mbrojtës, Fabio Cannavaro që fitoi Topin e Artë”- tha Platini.
Antoine Griezmann është një tjetër francez i cili është ndër favoritët për të fituar çmimin, ndërsa jashtë kësaj liste pritet të mbesë Lionel Messi, i cili nuk arriti të fitojë asgjë të rëndësishme me Barcelonën apo kombëtaren argjentinase.
a.ç