Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot me kërkesë të tyre, një takim pune me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”. Njoftimi është shpërndarë nga Presidenca ndërsa Metës i ka mbetur mendja tek gjoba që mori shoqata pak javë më parë, ku merrte pjesë edhe kreu i shtetit.
Presidenca thotë se Kreu i Shtetit u njoh me përpjekjet e kësaj shoqate për të ndalur masakrën urbane dhe shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë historike, arkeologjike dhe kulturore të qytetit bregdetar.
Kujtojmë se Abdulla Deliallisi kryetari i Shoqatës “Durrësi Autokton”, pasi organizoi një aktivitet në kundërshtim me masat anti COVID, u gjobit nga Policia. Akti ky që e xhindosi Presidentin duke lëshuar akuza të forta ndaj Policisë.
Ndërkohë, sot Meta nuk e ka humbur rastin të bëjë edhe fushatë elektorale.
Fjala e mbajtur në Durrës nga presidenti i vendit, Ilir Meta:
Ju falënderoj për ftesën dhe për këtë bashkëbisedim tepër të frytshëm, me qëllim forcimin e bashkëpunimit, në interes të komunitetit të Durrësit dhe jo vetëm. Kam besuar gjithmonë, që zëri i Durrësit duhet të dëgjohet nga të gjithë për zhvillimin, modernizimin dhe europianizimin e qytetit tuaj por edhe të mbarë vendit tonë.
Zëri i qytetarisë dhe i intelektualëve të Durrësit është tentuar të zbehet dhe rasti më i fundit ishte sjellja tepër banditeske ndaj kryetarit të Shoqatës tuaj.
Ishte një përpjekje për të intimiduar jo një individ, as për të indimiduar thjesht një shoqatë, por për të intimiduar çdo lëvizje, çdo gjallërim të qytetarisë, të respektimit e të nderimit të traditave të mbrojtjes së vlerave historike e kulturore, si dhe të shprehjes së mirënjohjes ndaj emrave më të mëdhenj e të shquar, që kanë dhënë aq shumë për Durrësin dhe për Shqipërinë, sa i përket ruajtjes së identitetit kombëtar e kulturor dhe traditave urbanistike e qytetare.
Durrësi mbart potenciale të mëdha për zhvillimin e tij, për luftën kundër varfërisë dhe për zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë.
Por për fat të keq Durrësi, e ka humbur të gjithë fizionominë e ruajtur në shekuj me shumë kujdes e me shumë vëmendje. Ndaj duhet të shumëfishojmë përpjekjet për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore, duke u kujdesur shumë më tepër se sa deri më tani.
Duhet të nxisim çdo iniciativë qytetare për të imponuar respektimin e ligjeve në fuqi, sepse ne kemi një ligj, që çdo vepër publike duhet t’i nënshtrohet një konsultimi publik nga autoriteti që inicion apo investon, qoftë në nivel qendror apo vendor.
Mirëqeverisja është e bazuar vetëm mbi llogaridhënie, që do të thotë se të zgjedhurit, që nga Presidenti e të gjithë me radhë, duhet të kenë frikë nga qytetarët! Jo qytetarët të kenë frikë nga ata që zgjidhen për t’ju shërbyer dhe për të dhënë llogari. Meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve historike të 25 prillit, çdo gjë fillon nga çkapja e votës, nga vota e lirë dhe shenjtërimi i saj.
Ndaj është momenti, që 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës në këtë vend, në mënyrë, që si vota e Presidentit, si e qytetarit më të thjeshtë të jetë përfundimisht e barabartë! Më 25 prill kemi një mundësi historike të rivendosim në funksion rendin kushtetues, shtetin e së drejtës dhe njëkohësisht të garantojmë fuqinë e qytetarit mbi pushtetin, mbi të zgjedhurin dhe t’i kthejmë këta në shërbim të tyre!
Më 25 prill populli vendos shenjtërinë e votës dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për 100 vitet që do vijnë. Në Kushtetutë thuhet qartë: “Sovraniteti i përket popullit në Republikën e Shqipërisë. Sovrani flet përmes votës së lirë.”
Ndaj kushdo, që përpiqet të vërë dorë mbi votën e lirë praktikisht ka provokuar sovranin dhe duhet të presë të gjitha pasojat prej tij. Unë jam këtu për t’i dhënë një mesazh edhe të gjithë shoqërisë civile të bashkëpunojë dhe të angazhohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të monitorojnë dhe t’iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë, sepse kjo është shumë e rëndësishme.
Asnjë qytetar nuk ka të drejtë nesër të kërkojë llogari nëse nuk shkon për të votuar. Asnjë qytetar që tregton votën e tij, nuk ka të drejtë të kërkojë llogari, sepse ai që ta blen votën ka humbur çdo detyrim ndaj teje.
Në demokraci vota është fuqia më e madhe që ka një qytetar, sepse vota të fuqizon, vota të shfuqizon. Vota të zgjedh, vota të ndëshkon. Unë besoj që populli ynë është shumë i qartë dhe shumë i ndërgjegjshëm, për këtë çështje.
Ju e dini që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kryekushti i Bashkimit Europian, po mbajnë peng këtë proces të çeljes së negociatave të vendit tonë. Është e pafalshme, që ne ende nuk kemi asnjë shpresë, për çeljen e negociatave për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të mos-hetimit të manipulimeve të bëra në të kaluarën.
Ndaj ky është një moment final për të bërë një restart të demokracisë, përmes zgjimit qytetar, votës së lirë, të ndershme dhe të barabartë. Në këtë mënyrë duhet të ndalim edhe shpopullimin e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, sepse është një fakt kokëfortë dhe i bazuar në statistika europiane dhe jo mbi deklarata.
Shpresoj që bashkëpunimin tonë ta intensifikojmë më tej, duke demaskuar çdo përpjekje, që intimidon zërin qytetar, të shkundim çdo apati në drejtim të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe të mos presim që padrejtësia të na prekë individualisht, që të reagojmë kundër saj.
Mjafton që padrejtësia të prekë dikë prej nesh në komunitetin dhe vendin tonë, për të na paralajmëruar se të gjithë mund të jemi viktima të një sistemi të padrejtë që e tolerojmë me heshtjen dhe përgjumjen tonë.”, – u shpreh ndër të tjera presidenti Meta.
/a.r