Metabolizmi i shpejtë është i lidhur ngushtë edhe me jetëgjatësinë më të shkurtër, ka zbuluar hulumtimi amerikan i kryer në më shumë se 600 vullnetarë. Organizmi i cili është jashtëzakonisht i shpejtë “shpenzon” energjinë në mbajtjen e funksioneve themelore të jetës, si punën e zemrës dhe të mushkërive, është i prirë ndaj “djegies” së hershme, kanë zbuluar hulumtuesit e Institutit amerikan për shëndet, transmeton Koha.net. Te këto konkludime kanë ardhur me analizën e ritmit metabolik të individëve dhe moshës në të cilën kanë vdekur gjatë 21 vjetëve të vëzhgimit. “Këto zbulime nuk i referohen energjisë e cila shpenzohet në ushtrime, por vetëm metabolizmit të shpejtë natyror”, ka shpjeguar udhëheqësi i hulumtimeve, dr. Reiner Jumpertz, për revistën “Endocrinology and Metabolism”.
Ekspertët kanë zbuluar që personat me aktivitet normal metabolik jetojnë më gjatë se ata me metabolizëm të shpejtë, por me kusht që të kujdesen për peshën e tyre, sepse mbipesha po ashtu është një nga faktorët kryesorë të vdekjes së parakohshme.