Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një takim me Presidentin e Senatit Francez, Gerard Larcher.
Gerard Larcher vlerësoi progresin domethënës të Shqipërisë si vend jo vetëm frankofon, por edhe kandidat për anëtarësim në BE dhe si një vend me peshë të veçantë në rajonin e Ballkanit, duke veçuar këtu marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të Shqipërisë me të gjithë vendet e rajonit.
Larcher u shpreh se Franca mbështet progresin e arritur në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit, pavarësisht ngarkesave historike dhe nënvizoi se Franca mbështet perspektiven evropiane të të gjithë rajonit.
Meta dhe Larcher deklaruan se marrëdhëniet e ngushta të nisura me ish Presidentin Jean Pierre Bel në të kaluarën do të vazhdojnë të intensifikohen më tej.
Meta gjithashtu shprehu kënaqësinë e nisjes së fluturimeve direkte mes Parisit dhe Tiranës dhe shprehu vullnetin për të mirëpritur më tepër investime franceze në fushat strategjike të zhvillimit të Shqipërisë, duke nënvizuar se Franca ofron një ekspertizë të veçantë profesionale në fusha
prioritare si infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe industria agro-ushqimore.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen domethënëse të Francës ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi se institucionet shqiptare dhe në veçanti Kuvendi mbeten të angazhuar për të avancuar me axhendën e reformave të nisura, ku prioritet mbetet reformimi i sistemit të drejtësisë, si kyç për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për rritjen e transparencës dhe thithjes së investimeve.
Kryetari Meta e ftoi Presidentin Larcher për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.