Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti Ministren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Rajonale të Landit të Bavarisë Dr. Beate Merk me të cilën biseduan rreth forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bavarisë.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e vlerësoi vizitën e Ministres Beate Merk në Tiranë si një hap përpara në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, dhe veçanërisht në drejtim të thellimit të kontakteve me Landin e Bavarisë si një Land shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Shqiptarët.
Në këtë kuadër, Meta dhe Merk diskutuan mbi mundësitë e shkëmbimit të ekspertizës në fushën e arsimit profesional, si një prioritet për të rinjtë shqiptarë ku Bavaria gëzon kapacitete tepër të avancuara.
Ministrja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Rajonale të Landit të Bavarisë Dr. Beate Merk shprehu kënaqësinë e kësaj vizite në Tiranë si dhe vullnetin për konkretizimin e bashkëpunimit arsimor dhe ekonomik me Shqipërinë.
Kryetari Meta dhe Ministrja Merk u ndalën gjithashtu në fenomenin e azilkërkimit në Evropë duke vënë në dukje se Shqipëria është një vend i origjinës së sigurt dhe se më shumë duhet bërë për konkretizimin e iniciativave të punësimit të ligjshëm në Gjermani. Meta u shpreh se fokusi tek zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve në rajonin tonë do të kontribuojnë në rënien e këtij fenomeni dhe se për sa i përket azilkërkimeve nga rajone të tjera lufte, Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj përkrah Gjermanisë dhe partnerëve të saj evropianë.
Në përfundim Meta dhe Merk duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të Landit të Bavarisë me vendet e rajonit tonë, vunë në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në mbarëvajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajonin e Evropës Juglindore.