Meta takon Jahjagën: Shqipëria do të jetë gjithnjë përkrah Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Gjatë takimiot Meta theksoi se Shqipëria e mbështet plotësisht avancimin e Kosovës në procesin e integrimit euro-atlantik dhe në këtë kuadër përpjekjet duhen përqendruar në forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit, shtimit të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme rajonale e ndërkombëtare si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Nga ana e saj, Jahjaga shprehu mirënjohjen e institucioneve të Kosovës për mbështetjen e Shqipërisë ndaj avancimit të proceseve integruese, lobimit për njohjet ndërkombëtare, anëtarësimit në organizatat rajonale dhe progresit të Kosovës.
Kryetari Meta dhe Presidentja Jahjaga vlerësuan marrëdhëniet e ngushta e vllazërore mes dy vendeve fqinje dhe nënvizuan rëndësinë e rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh, si në aspektin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, me qëllim heqjen e barrierave dhe shtimit të fluksit tregtar.
Meta e siguroi në përfundim Jahjagëm se Shqipëria do të jetë gjithnjë përkrah Kosovës në mbështetje të progresit të gjithanshëm demokratik e shoqëror të vendit fqinj, duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si strategjike për mbarëvajtjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.








