Kreu i kuvendit, Ilir Meta priti në një takim liderin e BDI-së në Maqedoni. Gjatë prononcimit jashtë ambienteve të Kuvendit, Meta u shpreh se me Ahmetin u diskutua për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni dhe faktorin shqiptar atje. Kreu i Kuvendit tha se stabiliteti i Maqedonisë është me rëndësi për Shqipërinë, ndërsa duhet të zbatohet marrëveshja e Ohrit për të drejtat e shqiptarëve.
“Maqedonia dhe liderët shqiptarë atje kanë mbështetje për të dalë nga ngerci, ndërsa procesi i certifikimit të zgjedhjeve duhet të përfundojë me sukses. Maqedonia duhet të ecë përpara për stabilitetin dhe rrugën e integrimit. Me rëndësi është që të zbatohen të drejtat e shqiptarëve përmes marrëveshjes së Ohrit”- tha Meta raporton BW. I pyetur nga gazetarët se cila ishte këshilla e tij për Ali Ahmetin dhe liderët shqiptarë në Maqedoni, Meta u shpreh se “liderët shqiptarë nuk kanë nevojë për këshilla, por për mbështetje në rritjen e bashkëpunimit për një Maqedoni evropiane”./a.m.