Ilir Meta në konferencën e përjavshme për mediat deklaroi se do të kthej për rishqyrtim në Kuvend, të gjitha ligjet antikushtetuese dhe korruptive.
Presidenti paralajmëroi se, “Nuk duhet të lihen hapësira në ligje që rrisin korrupsionin. Interesi publik duhet vënë mbi të gjitha”.
Meta tërhoqi vëmendjen se kemi një borxh të lartë publik dhe borxhi po rritet gjithmonë e më shumë.
“Huamarrja duhet që të kontrollohet. Po ashtu, duhen mbrojtur më shumë ushqimet dhe mjedisi të mbrohet gjithashtu. Kemi borxhe të mëdha, dhe shumë persona punojnë jashtë ligjeve”, u shpreh kreu i shtetit.
Sipas tij, kjo sjell një treg të pasigurt si dhe mund të sjellë rritje të destabilitetit politik e ekonomik të vendit.
Duke folur për reformën zgjedhore, ai tha se nuk dëshioron që të paragjykoj, por u shpreh skeptik.
“Uroj që palët t’i qëndrojnë marrëveshjes, e cila mund të lë për të dëshiruar në përmbajtje, por e dimë që jemi në një situatë kritike, mosbesimi të thellë, të legjitimitetit të Kuvendit, në radhë të parë të vetë Kuvendit. Por këto shqetësime të partnerëve që kanë bërë përpjekjet më të mëdha për ta lënë derën hapur, nëse dera mbyllet shqiptarët do ta kenë të qartë kush e ka përgjegjësinë”, tha Presidenti.
Ai deklaroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë në monitorim të rreptë ndërkombëtar. I pyetur për prezantimin e Zef Mazit si kryenegociator me Bashkimin Evropian, Meta tha se ditën e hënë pret të takohet me të.
/a.r