Nga Spartak Ngjela
Rama, Meta, Reforma në Drejtësi, zgjedhjet e reja dhe…
- Vërtet mendoni se ka ndonjë vlerë takimi në Pazarin e Ri ku na paskan ngrënë darkë Rama me Metën?
Janë të dy në hall, por Meta ka dhe diçka më tepër: është në rrezikun që sjell Reforma.
Meta do të kalojë patjetër në procesin penal që vjen si pasojë e Reformës. Por deri tani ai ka pasur shpresë në bllokimin e saj. Por nuk e ka bërë dot. Ndërkohë ai është kuptuar nga amerikanet që ka qenë i lidhur me Saliun në këtë ndërmarrje, edhe pse asnjëherë nuk ka vepruar ligjërisht kundër Reformës.
Ishin që të dy naivë, edhe Saliu edhe Meta: pse, këta dy periferikë të kapur nga ligji shqiptar dhe ndërkombëtar do t’i rezistonin me duar dhe ca kokra deputetësh politikës amerikane duke goditur interesin amerikan në Ballkanin Petëndimor! Megjithatë po kuptohet se Meta po bën politikë për të fituar diçka. Të shohim!
ll.
Shqipëria sot është kushti kryesor i politikës globale për Amerikën dhe Gjermaninë. Shqiptarët janë të gjithë me Amerikën dhe mezi po presin zhvillimet e reja ekonomike të aleancës shqiptaro-amerikane, kurse Berisha mendon të shkatërrojnë “raketat dhe areoplanmbajtëset” amerikane më tetë apo dhjetë deputetë të drobitur nga injoranca dhe me një gjykatë që nuk di se ku e ka kokën dhe ku do t’i shkojë koka.
Zotërinj, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mbrohet nga aleanca, se nuk ka asnjë ushtar dhe është e kërcënuar edhe nga Veriu edhe nga Jugu. Vërtet mendoni se mund të shkelni angazhimet e atlantizmit për të shpëtuar gjënë e vjedhur që kërkon ligji t’ua marrë?
- Kjo është gjendja, kur Rama shkon në Pazarin e Ri të darkojë me Metën. Të gjithë janë të habitur. Çfarë mund të bisedohet afër shtëpisë së Qazim Mulletit? Atyre, në fakt, iu takonte të darkonin te Shtëpia e Envet Hoxhës në Bllok. Nejse: po çfarë bisedojnë?
Komedia qëndron se nga shenjat Meta kërkon të hyjë në koalicion me kushtin që ai të jetë kryeministri i ardhëshëm pas zgjedhjeve të qershorit, se kështu thonë nëpër media të punësuarit e tij. Rama në fakt, duket se e ka pasur pikë në marrëveshjen e vitit 2013. Të jetë e vërtetë vallë?
lll.
Meta po kërkon të mundë amerikanët duke qënë kryeministër, kurse Rama kuptohet se, përderisa shkon në një darkë pazari, tallet me Metën që të fitojë kohë. Por, a ka frikë Rama semos Meta shkon me Berishën? Jo, nuk ka frikë, se tani Saliu ka falimentuar dhe po bën likuidimin e vet në një çadër rrecke. Kurse Meta vazhdimisht, që pas zgjedhjeve të vitit 2013, këtë kartë ka luajtur ndaj Ramës: “vajta te Saliu”.
E ka luajtur këtë kartë dhe e ka trembur Ramën se ky nuk di ta luajë shahun politik, dhe si rregull ka pyetur mediokritetin që e rrethon. Por, tani që nuk e tremb dot më, i kërkon kaq shumë sa që Rama duket se po tallet me të. Rama i thotë “hajde në koalicion”, kurse Metë ziu i nxjerr lloj lloj llomotitësish që i thonë “Meta kryeministër”, për t’i kujtuar Ramës monë e shkuar. Gjithçka është një perspektivë e mbyllur, në një të tashme ireale.
Ndërkohë, Saliu dhe Lulzimi i tij po presin me ditë Metën në një çadër, si dashnorët e Venetikut. Presin e presin Metën që të shpëtojnë kokën nga Reforma.
lV. A mund të shpëtojë Berisha dhe Meta nga Reforma. Është e pamundur. Berisha e ka ngrënë çahirin se nuk bëri politikë asnjë minutë; kurse Meta gaboi me ambasadorin amerikan.
Në anën tjetër, Berisha mendoi se do të “gënjenin” Presidentin amerikan me Bathoren. Naivë, që e dinë interesin amerikan torrollepsje monarkësh. Interesi amerikan, zotërinj, ka ardhur nga Xhefersoni, është konsoliduar nga Linkolni dhe lulëzon sot nga studimi i kapaciteteve të mëdhenj të dalë nga Harvardi dhe Jelli, dhe është në gjendje të mbrohet dhe vetëm nga një gjyqtar e jo më nga Senati që po e po.
- E pra, çfarë do të ndodhë me çadrën, me aleancën Rama Meta, me Reformën dhe me zgjedhjet e qershorit.
Gjithëka do të ecë sipas motivit amerikan. Korrupsioni i lartë shtetëror nuk ka më asnjë shpresë në Shqipëri. As Meta që shkon skutave për t’i treguar amerikanëve që kam forcë, dhe as Saliu me llomotitjet në hapësirë boshe.
Që të dy tani, edhe Meta edhe Berisha jani një vox clamantis in deserto… një zë në shkretëtirë. Po Rama?
Rama është më në favor, se ka aleancën me politikën amerikane, e cila e vendos në pozicion komod. Politika amerikane është e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim në Shqipëri, madje as Ramës.
Vetëm mediokriteti i Saliut dhe frika e ndëshkimit i shtyn ata të çadrës të mendojnë se mund të frenojnë politikën amerikane në veprim. Në çdër, me naivitet provincial, banorët e çadrës kanë pritur Metën t’u shkojë në çadër. Domethënë një Metë i implikuar ndërkombtarisht, paska forcë të bllokojë politikën e interesit amerikan në Ballkanin Perëndimor!!! Hajde mendje sterilo-fëminore hajde!
Asnjë bllokim nuk do të bëjnë dot. Vetingu nuk ndalohet dot me asnjë mjet: kushtetuta, pasi ta ka dhënë të drejtën, nuk mund të bllokohet me mosrealizimin e saj: kjo e drejtë e refuzuar transferohet në funksion të mbrojtjes së kushtetutës.