Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e 7-të të Kryetarëve të Parlamenteve te vendeve te Ballkanit Perëndimor që u mblodh në Budapest, nën kujdesin e Parlamentit të Hungarisë.
Gjatë fjalës së tij si i ftuar nderi në hapje të Konferencës, Kryetari i Kuvendit Meta evidentoi progresin substancial të bërë nga vendet e rajonit gjatë dy viteve të fundit, duke veçuar anëtarësimin e Kroacisë në BE, marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, avancimin e dialogut Serbi-Kosovë, hapjen e negociatave të anëtarësimit për Serbinë dhe progresin e bërë nga Mali i Zi në kuadër të procesit të negociatave.
“Ngjarjet e fundit në Krime, duhet të na e forcojnë bindjen se integrimi euro atlantik i vendeve tona, është më i rëndësishëm sot se 20 vjet më parë. Ndaj vlerësojmë se Procesi i Berlinit dhe Deklarata e Vjenës ne gusht ka një rëndësi te veçantë për të gjithë rajonin, duke hapur rrugën për projekte konkrete e të prekshme zhvillimore për qytetaret tanë”, – u shpreh Meta.