Në prononcimin për mediat në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS-së, kryeministri Edi Rama, komentoi edhe mesazhet drejtuar kreu të shtetit, pasi opozita dogji mandatet, të publikuara nga vetë ky i fundit, në një konferencë për mediat.
Kreu i qeverisë Rama tha se nuk ka nevojë për plane për të eleminuar opozitën, pasi ajo është kujdesur vazhdimisht dhe po kujdeset për vetëeleminimin e saj.
“Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë nuk ka nevojë për plane për të eleminuar opozitën sepse opozita është në kapacitete të plota për tu vetëeleminuar. Procesi i degradimit vazhdon në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë qorrazi dhe çdo ditë hedhin qorrazi nga një hap. Me rëndësi për ne është ti qëndrojmë besnik të gjithëve edhe atyre që na votuan dhe atyre që nuk na votuan. Historitë me 7×7 bëjnë 42 ja kemi lënë opozitës”, theksoi Rama.
Teksa opozita pretendon se ka pas vetes 85% të shqiptarëve, referuar bojkotit të zgjedhjeve vendore, Rama tha se fitore të tilla paçin gjithmonë.
“Kam thënë që do të ndëshkohen nga vetëpërjashtimi dhe në procesin e vetëvrasjes do të bërtasin fitore dhe siç e shikoni po bërtasin fitore. Fitore të tilla paçin gjithmonë, ajo që mbetet është rezultati”, deklaroi Rama.
g.kosovari










