Presidenti i Republikës do të hedhë me 5 dhjetor të këtij viti shortit për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Vendimin e bëri publik vetë Presidenca pas takimit që Kreu i Shtetit pati me Besnik Muçin.
Pas fillimit të funksionimit të KED-së së re, Presidenti thotë se do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e saj, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Meta i kërkoi zotit Muçi që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues.
Muçi i shprehu Presidentit Meta se nuk është politikan, por një jurist dhe duhet të veprojë si i tillë deri në fund për të kërkuar të drejtat e tij pranë çdo gjykate ndërkombëtare, vendimi i së cilës ka juridiksion ndaj Republikës së Shqipërisë.
Megjithatë zoti Muçi e garantoi Presidentin Meta se do të mirëkuptojë çdo veprim të mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës, për të vijuar procesin midis tyre në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Meta ndërkohë është në pritje të njoftimit nga Gjykata Kushtetuese për të rishpallur mënjehërë këtë vakancë për aplikim.
g.kosovari











