Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar Reformën në Drejtësi, duke thënë se duhet të vazhdojë duke iu rikthyer “shinave veneciane” të 21-22 korrikut 2016.
Meta thotë se drejtësia e vërtetë do të realizohet kur paratë e vjedhura t’u kthehen shqiptarëve dhe ky është zotimi i tij.
Postimi i Metës:
Disa fakte edhe për “kujtesëhumburit” nga “covid”:
1️⃣. Ilir Meta, si Kryetar i Kuvendit, realizoi votimin historik me 140 vota të Reformës në Drejtësi. (Me mbështetjen e fortë të Ambasadorit, Ëilliam R. Broënfield dhe të disa kongresmenëve kryesorë amerikanë)
2️⃣. Ndaloi votimin e reformës përmes shit-blerjes së votave të sponsorizuar edhe nga faktorë ndërkombëtarë duke përçarë opozitën në “pro-reformë” dhe “antireformë”. Po kështu ndaloi edhe shantazhet për heqje vizash ndaj deputetëve.
3️⃣. Realizoi një kompromis politik parimor me opozitën të mbështetur në Raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe votimit të rekomandimit nr.88 të tij gjë që bëri që opozita të votonte ndryshimet kushtetuese të 21-22 korrikut 2016.
4️⃣. Ilir Meta mbajti një komunikim thelbësor me SHBA dhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit kundër Drogave dhe Zbatimin e Ligjit (OPTAD) në Departamentin e Shtetit, Ambasadorin Ëilliam Broënfield për realizimin e votimit konsensual të Reformës në Drejtësi. Kjo ishte linja e vërtetë e SHBA për realizimin e Reformës në Drejtësi, ndryshe nga ajo e Ambasadës së Tiranës që synonte të mos respektonte rekomandimin nr.88 të Komisionit të Venecias dhe t’ia jepte që në Kushtetutë kapjen e drejtësisë, Edi Ramës dhe po kështu të ndante PD në dy parti që atëherë.
5️⃣. Megjithëse votimi konsensual sabotohej nga Edi Rama me çdo formë dhe mënyrë, Ilir Meta ndërpreu seancën plenare dhe uli në tavolinë ambasadorët e SHBA dhe BE, si dhe faktorët politikë kryesorë, përveç Ramës dhe realizoi votimin historik me 140 vota.
6️⃣. Projektligji me ndryshimet kushtetuese, pra Reforma në Drejtësi, shkoi në sallen e Kuvendit për t’u futur në procesin zyrtar të miratimit, vetëm falë votës së 5-të përcaktuese të përfaqësuesit të LSI në Komisionin e Reformës në Drejtësi, Z. Petrit Vasili, sepse opozita e kishte bojkotuar Komisionin e Reformës dhe në këtë mënyrë bllokonte ecurinë e miratimit të saj sepse Rama dhe “perëndimorët” në Tiranë sabotuan marrëveshjen për rekomandimin nr.88 të Komisionit të Venecias.
7️⃣. Në funksion të zbatimit sa më të shpejtë të ndryshimeve kushtetuese të 21-22 korrikut, deputetët e LSI-së votuan shtatë ligjet që kërkonin shumicë të cilësuar me 84 vota, ku vota e tyre ishte përcaktuese për arritjen e një shumice të tillë dhe që shënonin fillimin real të zbatimit të reformës. Këto ligje duhej të miratoheshin para ndryshimeve kushtetuese por “hollandezi fluturues” rrinte më shumë jashtë se brenda.
8️⃣. Ilir Meta ka kundërshtuar zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm, Znj. Arta Marku me 69 vota, nga 84 vota që kërkonte Kushtetuta. Kjo solli kapjen nga PS të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të SPAK-ut më vonë.
9️⃣. Ilir Meta ka kontestuar devijimin e reformës nga “Veneciane” në “rilindase” që në 27 janar 2017, si Kryetar i Kuvendit, kur u hodh shorti për herë të parë për zgjedhjen shumë transparente të anëtarëve të Komisionit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Pasi gjithçka u bë perfekte nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Znj. Albana Shtylla, në koordinim të plotë me misionet e OPTAD dhe EURALIUS, çuditërisht kur emrat që dolën nuk i pëlqyen Edi Ramës, u keqpërdor përfaqësuesi i SHBA për të bërë një deklaratë të lobuar nga PS për të njollosur procesin bazuar mbi gënjeshtra sorosiste.
1️⃣0️⃣. Pas deklaratës time publike me argument kundër të pavërtetave të thëna nga aleati në Tiranë dhe letrës time zyrtare kundër këtij akti të pandershëm dhe klientelist në shërbim të Ramës dhe në dëm të Reformës në Drejtësi, që iu dërgua edhe Departamentit të Shtetit në atë kohë edhe Presidentit Nishani, mora një letër që shprehte “ndjesë” për këtë qëndrim që ishte bazuar në keqinformime nga PS. (Kështu Shqipëria ngeli 3 vite pa Gjykatë Kushtetuese siç donte Edi Rama dhe Soros).
1️⃣1️⃣. Nuk dua të përmend këtu të gjitha faktet publike të kundërshtimeve të mia ndaj përpjekjeve brutale të Ramës dhe disa “perëndimorëve” për t’i dhënë gjithë sistemin gjyqësor në kontroll Ramës, përfshi edhe gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese edhe me “betimet te Lana”. Nuk besoj se është harruar mitingu i 2 Marsit, që hodhi në “Lanë” projektligjin e “betimeve te Lana”.
1️⃣2️⃣. Tani është koha të hedhim në Lanë regjimin kukull të Sorosit, siç e hodhën në Vardar qytetarët e Maqedonisë së Veriut edhe kur Sorosi drejtonte SHBA dhe Departamentin e Blinkenit.
1️⃣3️⃣. Reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë duke iu rikthyer “shinave veneciane” të 21-22 korrikut 2016 ose ndryshe duke bërë VETTINGUN e vettingut rilindas. Gjyqtarët dhe prokurorët që zbatojnë ligjin të vazhdojnë punën, ndërsa ata që duan të bëjnë politikë le të hyjnë në politikë si Di Pietro që e nisi si “hero” dhe e përfundoi si Ministër tenderash.
1️⃣4️⃣. Drejtësia e vërtetë do të realizohet kur paratë e vjedhura t’u kthehen shqiptarëve dhe ky është zotimi ynë.