Kreu i PD-së Lulzim Basha ka kujtuar ditën e sotme poetit disident Havzi Nela në 32-vjetorin e varjes së tij. Ai e konsideron atë si poetin e pavdekësisë përmes disa vargjeve të poezisë. Me anë të vargjeve ai ka dhënë një mesazh të nënkuptuar për situatën aktuale në Shqipëri. Basha gjithmonë thekson përmes postimeve të shumta të tij se qeveria aktuale kërkon të shypë e nënshtrojë popullin përmes taksave dhe rregullave, duke sjellë moszhvillim në vend.
Postimi në Twitter i Lulzim Bashës:
Thoni: Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët, lëshoi kushtrim.
Thoni se: E qorroi terri
Thoni: Dielli nuk u ngrohu.
Thoni se: E trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: Çohu!
Havzi Nela ka qenë gjithmonë kundër diktaturës dhe nuk u pajtua kurrë me rregullay komuniste. Më 22 maj të 1967-ës ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua dhe gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Më pas iu shtuan edhe tetë vite në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit. Ai u la i lirë për një kohë të shkurtër, por më 12 tetor të vitit 1987 ai u arrestua dhe internua në fshatin Arrën. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar nga Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e Havzi Nelës. Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.
Pas Bashës edhe presidenti Ilir Meta ka kujtuar poetin e fjalës së lirë Havzi Nela. Presidenti shprehet se vargjet e poezisë së Havzni Nelës edhe sot gjëmojnë me një forcë të jashtëzakonshme për të realizuar ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa. Meta thotë se komunizmi nuk do të mundë kurrë që të vrasë demokracinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.
Postimi i Ilir Metës:
Litari i xhelatëve që i shteri frymën e fundit poetit disident dhe martirit të fjalës së lirë Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, si dhe ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa.
“Liria më thërret, vdekja nuk më tund”, vargjet e poezisë së Havzni Nelës edhe sot gjëmojnë me një forcë të jashtëzakonshme:
O LIRI, O VDEKJE
Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!
Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.
Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?
g.kosovari











