Nga Jakin Marena
Në Shqipëri po krijohet dalëngadalë një sistem bipolar politik, duke u orientuar gjithnjë e më shumë kahjen drejt formatimit të dy blloqeve politike, të majtë dhe të djathtë.
Në krye të njërit prej këtyre blloqeve politike qëndron PS, të cilës i bashkangjiten disa parti të majta, që janë drejt asgjësimit të plotë dhe shkrirjes me elektoratin socialist, shumë më i shumtë në numër, më solid në organizim dhe me “amplitudë” të qartë afrimi me qendrën.
Eshtë krijuar një trupë e konsoliduar elektorale, e cila lëviz me plus minus 800 mijë vota sa herë që zhvillohen zgjedhje në Shqipëri, duke garantuar në këtë mënyrë një mundësi reale dhe të vazhdueshme fitoreje si në zgjedhjet parlamentare ashtu dhe në ato vendore.
Ia vlen të theksojmë se Edi Rama në çdo fushatë elektorale rishpik vetëveten dhe sjell një të re sërish në raport me opozitën e cila për katër vite me radhë në procesin e riorganizimit politik të saj me qëllimin e vetëm rrëzimin e qeverisë së majtë nga pushteti, nuk arrin të konkurrojë Ramën dhe PS-në në fushatat zgjedhore. Dhe kjo pafuqi është përkthyer në humbje të njëpasnjëshme në të gjitha ballafaqimet elektorale për opozitën e djathtë, dhe për herë të parë ka sjelle edhe garantimin e një mandati të tretë radhazi për një parti politike në Shqipëri, si në rastin e PS.
Në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar PS mori e vetme 74 deputetë, mjaftueshëm për të qeverisur pa qënë “peng” i aleancave dhe problemeve për shkak të “oreksit” të madh të aleatëve të vegjël.
Tek blloku i majtë mund të theksojmë faktin se është PSD e drejtuar nga Tom Doshi ajo që ka bërë diferencën, duke marrë në zgjedhjet e fundit 3 deputetë, por pa ndikuar në konfigurimin qeverisës nga vetëm një parti politike, PS.
Ndërkohë që e majta tjetër, LSI e dalë nga “mitra” e PS në kohën kur drejtohej nga Ilir Meta arriti të jetë një “handikap” në politikën shqiptare, ku përmes aleancave herë majtas e herë djathtas, deri në vitin 2017 ishte ajo që luajti rolin e “king makerit” në politikën shqiptare duke përcaktuar balancën e pushtetit: Më 2009 në favor të Berishës dhe në 2013 në favor të Ramës.
Tashmë LSI është drejt shuarjes, pasi nga 20 deputetë që kishte pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, është katandisur në 4 deputetë më 25 prill, pa asnjë fuqi serioze ndikuese në politikën shqiptare dhe për më tepër në qeverisjen e vendit.
Ndërsa blloku i djathtë politik, i kryesuar nga PD ka pësuar një çarje të thellë, ku konflikti për lidershipin e partisë mes kreut zyrtar demokrat Lulzim Basha dhe liderit historik Sali Berisha e ka ndarë këtë parti në dy pjesë. Nuk është verifikuar zyrtarisht se cila është pjesa më e madhe, gjë që pritet ta verifikojnë zgjedhjet e radhës, që janë ato të pjesshmet në 6 bashki më 6 mars.
Ndarja e PD është reflektuar dhe tek aleatët, të cilët sipas deklarimeve të tyre, përpos të pavendosurve që nuk janë shprehur ende publikisht, një pjesë janë atashuar pranë grupimit jo zyrtar të Berishës. I cili ka bërë me dije se do të marrë pjesë në garën zgjedhore në këto 6 bashki pa kryetar, me kandidatët e saj të pavarur ose me koalicione.
Ndonëse pa asnjë shans për të fituar përballë PS të drejtuar nga Rama, e cila është një makineri elektorale pa stonaturë, më shumë se sa për të fituar, palët në konflikt në PD po mendojnë për të startuar në këto zgjedhje që të tregojnë se kush e ka shumicën në parti.
Pikërisht këtu del problemi, pasi konkurron grupimi politik i drejtuar nga Sali Berisha, i cili pretendon se ka shumicën në PD, por që nuk njihet ligjërisht as nga KQZ dhe as nga institucionet e tjera të shtetit dhe pjesa tjetër zyrtare e PD që kryesohet nga Lulzim Basha, i cili ka vulën e partisë dhe të gjitha “asetet” që të jep partia më e madhe e opozitës. Por dhe avantazhin!
E thënë me thjeshtë dhe më shkoqur, Berisha kandidatët e vet do t’i regjistrojë vetëm duke mbledhur 1 përqind të firmave të votuesve në secilën bashki për t’i regjistruar në KQZ, ndërsa Lulzim Basha vetëm me një shkresë i regjistron të 6 kandidatët që mendon të kandidojë më 6 mars në bashkitë e mbetura pa kryetar. Eshtë një “luks” që bën direferencën e parë brenda PD.
Diferenca e dytë ka të bëjë me komisionet zgjedhore që nga qendra e deri në bazë, te KQV bashkë dhe me numëruesit respektivë në komisionet në qendër të bashkive.
Në këto komisione, PS ka 3 komisionerë (në bashkitë me numër tek zgjedh kryetarin dhe bëhet me 4 anëtarë) ndërsa PD ka të drejtë të ketë 2 komisionerë (në bashkitë me numër çift sipas shortit PD zgjedh kryetarin dhe bëhet me 3 anëtarë) dhe një komisioner është i LSI-së.
Pse po evidentojmë faktin se pasja e një komisioneri në komisionet zgjedhore vendore është një plus në të gjitha garat e elektorale për një parti politike?
Për hir të së vërtetës, jo pak herë komisionerët dhe për pasojë dhe numëruesit e partive politike nëpër qendrat zgjedhore dhe ato të numërimit kanë qënë ata që kanë vendosur rezultatin e votimit, kur ai ka qënë shumë i ngushtë.
“Viktimat” e para kanë qënë partitë e vogla politike, të djathta apo të majta sipas rastit, ku një pjesë e votave të tyre kanë kaluar respektivisht tek partitë më të mëdha, të majta apo të djathta dhe këtu ka pasur një “pakt heshtjeje” mes të “mëdhenjve”.
Ndaj në Shqipëri një parti e re politike e ka të vështirë të mbijetojë apo të ecë para në “xhunglën” politike shqiptare, pasi votat rast pas rasti kalojnë në drejtim të partive që kanë komisionerë, pra partive të mëdha politike. Dhe një fat i tillë pret dhe grupimin e Berishës, votat për kandidatët e të cilit lehtësisht mund të kalojnë në drejtim të kandidatëve të Bashës, nëse nuk do të ketë ndonjë “rojtar” rigoroz në këtë rast.
Me sa duket grupimi brenda PD i drejtuar nga Berisha, duke e ditur këtë skemë të shpikur dhe të aplikuar nga vetë ata deri në këto momente ndarjeje dhe konflikti, ka vendosur të marrë masa parandaluese, aq sa mund të parandalojë thjeshtë dhe vetëm me vëzhguesit e jashtëm që mund të ketë nëpër qendrat e votimit dhe të numërimit të votave.
Një ndër masat parandaluese që është e natyrshme të ndërmerret nga ana e Berishës për të mbrojtur votën e kandidatëve të vet më 6 mars, me sa duket është përmes LSI dhe Ilir Metës. Ironike është ta themi që Meta do të parandalojnë tjetërsimin e votës, pasi ka kryesuar dhe kryeson një parti klienteliste, madje dhe është akuzuar për blerje vote, por realiteti ky është.
Komisioneri i vetëm i LSI, përpos votat e veta do të ketë “barrën” e mbrojtjes së votave të kandidatëve të Berishës në të 6 bashkitë ku votohet, duke bërë në këtë mënyrë dhe “arbitrin” e votave mes Berishës dhe Bashës. Eshtë një skenar i mirëmenduar nga ana e Berishës, i cili ose përmes një koalicioni me Metën, ose me kandidatët e vet që hyjë në zgjedhje, ku do shfrytëzojë të vetmin anëtar komisioni që i takon sipas ligjit LSI për të mbrojtur votat nga tjetërsimi që mund ti bëhet nga pjesa tjetër e grupit të PD të kryesuar nga Basha. Pra jo vetëm që lufta brenda llojit është më e fortë por dhe vjedhja brenda së njejtës “shtëpi” politike është më evidentja dhe më e rënda, pasi para saj të gjithë mbyllin sytë dhe heshtin.
Se sa do të arrijë komisioneri i LSI të ruajë ekuilibrin mes votave të hedhura për dy grupimet e PD që ende nuk është ndarë zyrtarisht, por dhe sa do të “përfitojë” vetë nga kjo “bamirësi” partia e drejtuar realisht nga Ilir Meta, mbetet për t’u parë më 6 mars.
E vërteta e kulluar është se tashmë, Berisha por dhe raportet dominuese në PD në tërësi, në konfliktin me Bashën, janë në dorë të Ilir Metës. Presidenti aktual, që është dhe në prag të shkarkimit nga ana e Kushtetueses, ka në dorë balancën zyrtare të PD, në kushtet kur asnjëra prej palëve nuk është gati për të hedhur në një kuvend të paanshëm të kësaj partie kandidaturat përfaqësuese të secilit grupim për të përcaktuar se kush e ka shumicën në PD.
Të presim çfarë do të na “dhurojë” 6 marsi, në këtë ballafaqim politik në 6 bashki, ballafaqim që do të tregojë jo se kush është fituesi, ai me sa duket është i qartë, por se kush nga grupimet e PD do të jetë dyshi politik në Shqipëri: Berisha apo Basha. Dhe “kandari” është në dorë të Metës.
Gjasat janë që kjo puna e komisionerëve do të shërbëjë si alibi për Berishën, nëse merr rezultat të dobët, dhe me sa duket e ka parashikuar, pasi ka pasur shumë rrjedhje deri më tani nga grupi i drejtuar prej tij, që nga 8 janari i dhunshëm para selisë së PD. Por mund të shërbejë dhe për Bashën, ku bashkuar me luftën brenda llojit, do t’i shërbejë për të justifikuar humbjen e radhës. Pra, si Berisha ashtu dhe Basha do mbahen pas humbjes në krye të grupimeve të tyre brenda PD, parti e cila ka shumë mundësi që të shkojë e përçarë dhe në zgjedhjet e përgjithshme të pushtetit vendor vitin e ardhshëm. Duke paralajmëruar humbjen e sigurtë!