Fatmir Xhafaj numri 23 i PS në listën e Tiranës për deputetë, foli në lidhje me deklaratën e fundit të ambasadores amerikane Yuri Kim në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe Reformën në Drejtësi. Xhafaj u shpreh se diplomatët e huaj kanë në fokus të tyre demokracinë në vend dhe forcimin e shtetit të së drejtës ndaj insistojnë në forcimin e institucioneve.
“Unë kam pasur rastin ta takoj ambasadoren amerikane në Shqipëri Yuri Kim, të bisedoj me të. Po kështu të shoh shqetësimet e saj për Reformën në Drejtësi. E para që dua të them është që duhet të marrë fund përfundimisht koncepti që është Donald Lu ai që s’më do apo apo Yuri Kim ajo që nuk më ka qejf. Nga përvoja ime, ata nuk lidhen me individët. Ata përfaqësojnë politikën e presidentit të SHBA të Departamentit të Shtetit. Dhe çfarë ata bëjnë apo çfarë thonë, janë qëndrime të SHBA për Shqipërinë. Dhe qëllimi i tyre nuk është individi, cilido qoftë ai, por është populli shqiptar, demokracia dhe shteti i së drejtës. Dhe për këtë kanë investuar energjinë, fondet, burimet njerëzore. Dhe shqetësimi i tyre për reformën në drejtësi, është sepse ata vijnë nga një vend ku e kuptojnë rëndësinë e institucionit edhe nga përvoja e tyre. Prandaj insistojnë te ky drejtim. Dhe me ndryshim nuk kanë parasysh individët, apo forcat politike, por ata thonë ndryshime bën mirë. Dhe realisht tani njerëzit e kanë një mundësi. Të votojnë partitë dhe individin. Mesazhi është i qartë, me këtë sistem keni një mundësi të artë. Vota ka një vlerë të dyfishtë për çdo qytetar në zgjedhjet e 25 prillit. Ndaj qytetarët në këto zgjedhje përveçse kanë të drejtën të votojnë kanë edhe përgjegjësinë të zgjedhin të duhurin. Deputetin si e duan ata. Është një mundësi shumë e madhe që i dëshmojnë politikës, se si e duan ata një deputet”, u shpreh Xhafaj në Dritare Tv./dritare.net











