Nga Irena Beqiraj/
Te libri i tij Gjylistani dhe Bostani (Trëndafilishtja dhe Lulishtja), Sa’adiu, klasiku persian, ka një poezi, e cila titullohet “Urtësi”:
“Nuk përleshen kurrë dy njerëz me tru
as dhe një i ditur me një mendjehu.
Dy të urtë nuk këpusin në fill pe
Shkëmb në u bëftë njëri, tjetri bëhet dhe.
Ama në qëllofshin që të dy me brirë
Tërhiq, tërhiq, këpusin dhe zinxhirë”.
Mënyra se si lexohet Raporti i fundit i FMN nga të dyja anët e politikës, na tregon se “Paskan qëlluar të dy me brirë, tërhiq e tërhiq, këpusin zinxhirë”. Debati bardhë e zi tërheq zinxhirët e shpresës, të cilët po këputen çdo ditë. Zinxhirët e besimit që mbajnë një komb të bashkuar, po thërrmohen çdo ditë, pasi narrativa politike ka kaluar çdo cak të pranueshëm për inteligjencën tonë.
Për njërën palë të debatit, Raporti i fundit i FMN është një fletërrufe, “gjëma” e fundit që ka rënë mbi qeverinë shqiptare, “kambana e alarmit” e ekonomisë shqiptare, “rrënimi” nga i cili nuk do ta marrim dot veten. Jemi në rrugën pa kthim drejt greminës. Jemi pa zgjidhje, shajmë e mallkojmë dhe zgjidhja e vetme është të ftojmë popullin që të rrëzojmë këtë qeveri për të ardhur ne në pushtet.
Për palën tjetër, Raporti është një fletëlavdërimi, e cila tregon vetëm arritje edhe suksese. Sharjet janë vetëm uji i pistë i kazanit dhe asgjë më tepër. Performanca e ekonomisë është si kurrë ndonjëherë dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
FMN-ja në fakt është një institucion serioz, i cili për nga natyra, funksioni dhe modalitetet mbetet një vlerësues me qasje konservatore, por kjo jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe botërore. Si çdo raport, i shkruar nga ky institucion, qëllimi i tij është i thjeshtë dhe i qartë, siç ka qenë historikisht: “Miq, këto janë pikat ku keni performuar mirë… këto janë pikat ku rrezikoni dhe duhet të keni kujdes, edhe të merrni masat e nevojshme”.
Si i tillë, Raporti i FMN nuk duhet lexuar as si fletërrufe, siç përdoret nga opozita e as fletënderi, siç përdoret nga maxhoranca. Por, le t’i marrim me radhë:
Raporti e vlerëson ecurinë e deritanishme të ekonomisë pozitive, bazuar në disa faktorë të marrë së bashku: rritja ekonomike ka trend pozitiv dhe paraqitet e qëndrueshme. Kjo rritje ka mbështetur edhe uljen e papunësisë, e cila është sot në nivelin 12.2%. Deficiti buxhetor është ulur dhe shënon 2.1% të PBB. Për të tretin vit radhazi kemi një balancë primare pozitive, që do të thotë që shteti është treguar i kujdesshëm në kahun e shpenzimeve, duke shpenzuar më pak sesa të ardhurat që ka mbledhur (duke mos përfshirë interesat e borxhit). Bilanci tregtar është ngushtuar duke zbritur në 6.5% të GDP nga 7.5% që ka qenë në vitin 2017, kjo për shkak të rritjes së eksporteve dhe aktivitetit të turizmit. Ndërkohë që vërehet një ulje modeste e borxhit.
Të gjitha këto janë arritje drejt konsolidimit fiskal, të cilat duhen vlerësuar, por pa vetëkënaqësi. Ish-drejtori i FMN, Carlo Cotarelli, në librin e tij “Çfarë kemi borxh”, shpjegon që krizat vijnë papritur dhe detyra e qeverisë/qeverive është të jenë të përgatitura për skenarin e keq, pasi skenari i mirë është i mirëpritur dhe nuk ka nevojë për përgatitje.
Thënë këtë, FMN rreshton një sërë rreziqesh kundrejt të cilave është e ekspozuar ekonomia shqiptare, ndaj të cilave duhen krijuar mekanizmat e nevojshëm për t’u mbrojtur.
Në këtë kuptim, FMN rreshton risqet që vijnë nga akumulimi i detyrimeve të prapambetura, të cilat për hir të së vërtetës, me një menaxhim më të kujdesshëm, nuk do të ishin krijuar. FMN gjithashtu thekson se kemi një performancë të ulët në mbledhjen e të ardhurave, në krahasim me mesataren e vendeve të Ballkanit.
Një problem tjetër është eficienca në ekzekutimin e investimeve publike, e cila është një sindromë që vuan buxheti i shtetit për vite me radhë. Nëse do të hartohej një tabelë përmbledhëse e buxhetit të shtetit ndër vite, në fund të nëntëmujorit, për disa vite me radhë, do të gjendeshim para suficitit buxhetor. Ndër vite me radhë, plani i ekzekutimit të investimeve nuk arrin as 50% në fund të nëntëmujorit. Ndërkohë që fragmentarizimi i investimeve publike, si dhe shpenzimet e ulëta në sektorët prioritarë, siç është arsimi, janë elemente, të cilat ndikojnë direkt në produktivitetin e ulët të ekonomisë shqiptare. Ndërkohë që FMN ngre sërish risqet nga kontratat me Partneritetin Publik Privat, si dhe risqet e stanjacionit në kreditimet e biznesit.
Pra, ekonomia jonë nuk është lulishtja ku rriten trëndafilat. Asnjëherë nuk ka qenë! Ka përmirësime të nevojshme, por jo të mjaftueshme dhe është një ekonomi që thërret për urtësi në gjykim, për reforma dhe për ide të reja.
Me apo pa raportin e FMN, taksimi është një fushë që duhet reformë. Socialistët kanë zgjedhur taksën progresive. Por, taksa progresive bëhet efektive nëse futet koncepti i të ardhurës kumulative. Mosperformanca në mbledhjen e të ardhurave kërkon reflektim mbi filozofinë e taksimit. Në kërkim të produktit politik kemi krijuar hendek të madh në taksimin nga fasha në fashë e biznesit, duke rritur evazionin dhe duke vështirësuar administrimin.
Detyrimet e prapambetura, sërish kërkojnë kujdes dhe menaxhim financiar rigoroz.
Fakti që një pjesë e tyre vijnë nga zëri TVSH për t’u rimbursuar, kambanat bien fort për veshët e administratës tatimore.
Me apo pa raportin e FMN, investimet publike janë një nga komponentët bazë të modelit ku bazohet modeli i ri i rritjes ekonomike. Nëse vazhdohet me një ekzekutim apatik, ku në fund të nëntëmujorit, realizohen pak a shumë 50% e investimeve, pasiguria për rritjen ekonomike rritet. Pas 28 vitesh planifikim buxhetor, në kushtet e ekonomisë së tregut duhet të heqim dorë nga “buxhetimi i dëshirave” dhe duhet të buxhetojmë projekte investimesh, të cilat janë gati të ekzekutohen.
Partneriteti Publik Privat, si një mjet i sofistikuar për të mobilizuar para të sektorit privat në vepra publike, kërkon njohuri dhe kapacitete në projektim, në vlerësim të kostove dhe përfitimeve, në vlerësimin e risqeve dhe në negocimin e kontratave. Pa ngritur këto kapacitete, përdormi i tyre mund të sjellë më shumë risqe se përfitime dhe jo fare çuditërisht, do të përfundojmë në dyert e gjykatës, pa mbaruar projekti, siç ndodhi me rastin e stadiumit kombëtar.
Nevoja ulëritëse për zhvillimin e tregut të kapitaleve, gjallërimin e ndërmjetësve të tjerë financiarë, si fondet e pensioneve, fondet e investimeve, fondet e kapitalit, është bërë imediate për ekonominë tonë. Bankat tregtare nuk mund të plotësojnë nevojat për produkte të financimit afatgjatë fleksibël, për të cilat ka nevojë rigjallërimi i ekonomisë tonë.
Por, debati vazhdon të jetë shterpë mes brirëve të politikës. Ju dhe ne, ne dhe ata.
Mes brirëve të politikës tregohemi: të papërtuar e të përgjëruar në kërkim të të vërtetave tona ndër faqet e raporteve të shkruara nga ndërkombëtarët, të palodhur në interpretimin sipas kaheve politike, të mesazheve të koduara në fjalimet dipomatike, të pakursyer në sharjet për njëri-tjetrin, intolerantë ndaj reflektimit!
E ndërkaq, Sa’adiu persian, nga vitet e largëta 1200, thërret “Çdo vetull që shohim, nuk është si hark, frutit merri thelbin, bërthamën hidhe larg”.