Projekti ambicioz i Bashkisë së Tiranës për krijimin e një Pylli Orbital që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë ka nisur të marrë jetë, me mbështetjen e shumë qytetarëve dhe bizneseve në Tiranë.
Nisja e sezonit të ri të mbjelljeve, ka bërë bashkë Bashkinë e Tiranës dhe DHL, të cilat kanë mbjellë disa fidanë të rinj në Parkun e Liqenit të Farkës, për ta shndërruar atë në një mushkëri të re për kryeqytetin, të hapur për qytetarët dhe çlodhës e argëtues për fëmijët.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se aksioni për mbjelljen e pemëve do të shtohet në muajt në vijim. “E fillojmë mbarë këtë stinë mbjelljesh me 200 pemët e para, për të vijuar deri në mars të vitit tjetër. Është pjesë e konceptit tonë për Pyllin Orbital dhe duam që pas Parkut të Liqenit, që tashmë vizitohet rregullisht nga 300 mijë qytetarë, edhe në zonën e Farkës, që shtrihet në Njësinë 2 dhe në Dajt, të shtojmë aktivitetet argëtuese, të kemi më shumë animime, sporte dhe organizime në natyrë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë theksoi se në një qytet si Tirana, ku numri i automjeteve është mbi 200 mijë, raporti i mbetjeve dhe i ndotjes mund të balancohet nga mbjellja e dy pemëve për makinë. “Në një qytet si Tirana, që ka 200 mijë makina të vetat, nga 50-60 mijë që vijnë nga rrethet çdo ditë, na duhet të mbjellim 500 mijë pemë për të zeruar të gjithë efektin dhe ndotjen që shkaktojnë ato”, tha ai.
Veliaj u bëri thirrje kompanive dhe qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme që synon shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, por edhe përmirësimin e jetës së komunitetit.
“Unë besoj se siç ka një minorancë të zhurmshme për çdo projekt dhe për çdo ndryshim, ka edhe një shumicë të heshtur që ndoshta nuk bërtet aq shumë, por me punë si mbjelljet e sotme me vullnetarët, tregojnë që raca e mirë, e shëndoshë, me arsye dhe qytetaria në Shqipëri mbetet shumica”, theksoi Veliaj.
Në njësinë administrative Farkë janë mbjellë 3000 fidanë të drurëve dekorativë e pyjore në territore publike, si dhe 2000 rrënjë fidanë ulliri. Premtimi i mbajtur nga Bashkia e Tiranës për pyllëzimin e këtij parku dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme, e kanë kthyer Parkun e Farkës në një atraksion natyror që shfrytëzohet jo vetëm si ambient çlodhës për komunitetin e shtuar të banorëve në këtë zonë, por edhe nga turistët ditorë për aktivitete sportive./a.ç