Pak ditë para skadimit të afatit të dekretit presidencial, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të nënshkruajnë të dielën e sotme 2 shkurt, marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Raportohet se të dy palët kanë bërë lëshime reciproke. Pritet që të hënën Glauk Konjufca i VV të tërhiqet nga posti i kryetarit të Kuvendit, duke ia lënë detyrën Vjosa Osmanit të LDK-së.
Dita e sotme do të jetë ditë bisedimesh kur mendohet të diskutohet për emrat e ministrave të qeverisë që do të drejtohen nga Albin Kurti, por edhe për emrin e presidentit të ardhshëm të Kosovës, pas mbarimit të mandatit të zotit Hashim Thaçi.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës të hënën do të mbajë seancë ku do të votohet qeveria e re.
Këto zhvillime ndodhin kur kanë mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i afatit kushtetues për krijimin e qeverisë, pas zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 6 tetor.