Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndërpret pushimet dhe do të dalë të enjten e ardhshme në një konferencë shtypi në sallën e konferencave në Parlamentin gjerman. Bëhet fjalë për një konferencë shtypi, ku zakonisht bëhet bilanci i sesionit parlamentar, një takim klasik veror i kancelares me gazetarët e kryeqytetit gjerman.
Këtë vit, kjo konferencë ishte parashikuar të zhvillohej në fund të gushtit, pas pushimeve verore, por atentatet terroriste dhe tragjedia e Munihut e shtynë kancelaren ta afronte në kohë këtë konferencë shtypi.