Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë të hënën se Britania dhe Bashkimi Evropian do të krijonin shembull të keq nëse dështojnë që të arrijnë marrëveshje për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, mirëpo ka përsëritur sërish se blloku evropian nuk dëshiron marrëveshje me çdo çmim.
Mbretëria e Bashkuar është larguar nga Bashkimi Evropian më 31 janar, mirëpo ka mbetur pjesë e tregut të bllokut evropian përgjatë periudhës tranzitore 11-mujore, ndërkohë që të dyja palët tentojnë të negociojnë një marrëveshje për tregti të lirë, e cila do të mund të niste së zbatuari më 1 janar.
Bisedimet veçse janë zgjatur përtej afatit të fundit, të caktuar për mesin e muajit nëntor, për arritje të marrëveshjes, e cila më pas duhet të miratohet nga ligjvënësit në Britani dhe BE, para fundit të vitit.
Britania ka zemëruar Bashkimin Evropian me një projektligj që shkel disa pjesë të marrëveshjes që mundësoi largimin e Britanisë nga blloku evropian në muajin janar.
Projektligji në fjalë i jep fuqi Mbretërisë së Bashkuar që të ndryshojë disa pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me tregtinë me Irlandën Veriore.
“Shpresoj se do të arrijmë te një marrëveshje kontraktuale”, ka thënë Merkel në një takim virtual me anëtarët e komiteteve të BE-së.
“Ne, Britania dhe shtetet anëtare të BE-së, jemi shtete që bazohemi në vlerat e njëjta, andaj nuk do të ishte shembull i mir për botën, nëse nuk do të arrinim te një marrëveshje”.
Megjithatë, ajo ka insistuar se marrëveshja nuk duhet të arrihet me patjetër.
“Ne e kemi bërë të qartë se nuk na duhet marrëveshje me çdo çmim”, ka thënë ajo.
“Ne e duam një, mirëpo përndryshe do të marrim masat që janë të nevojshme – në secilin rast, marrëveshja është në interesin e secilit”.
Nëse nuk arrihet marrëveshje, viti i ardhshëm do të nisë me paqartësi të mëdha dhe vendosje të tarifave për mallrat britanike dhe ato evropiane.
Në gjë e tillë do të dëmtojë të dyja palët, mirëpo barra më e madhe do të bie mbi Britaninë, e cila gjysmën e tregtisë e zhvillon me vendet e BE-së, shkruan Rel.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./a.p