Kontabilistë, ekspertë të fiskut dhe grosistë të mallrave të akcizës shpjeguan për ‘Monitor’ skemat se si aplikohet në praktikë kontrabanda dhe evazioni fiskal. Nga falsifikimi i faturave deri te bilancet e dyfishta. Nga kontrabanda e mallrave të akcizës deri te mostaksimi i prodhimit vendas. Ja kanalet ku rrjedh evazioni 1 miliard USD në një vit fiskal
Ka një konsensus të përgjithshëm prej vitesh se ekonomia informale është në nivele të larta, por gjithashtu ka një debat të madh ndërmjet ekspertëve dhe grupeve të interesit, se ku është përqendrimi i madh i shmangies nga taksat dhe nga duhet nisur reduktimi, a duhet të luftohet në mënyrë sistematike apo me aksion.
Kupa është mbushur dhe nuk mban më. Të ardhurat buxhetore janë në vështirësi me një mungesë 120 milionë USD nga planifikimi vjetor për gjashtëmujorin e parë, në një kohë që ngarkesa fiskale është rritur në 50% në tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin. Por ndërsa rritja e taksave është konsumuar pa dhënë rezultat, ekonomia nuk po rritet me ritmet që priteshin dhe kriza në Greqi ka shtrirë tentakulat edhe në Shqipëri, qeverisë nuk i ka mbetur shteg tjetër, veçse t’i drejtohet formalizimit të ekonomisë nëpërmjet një aksioni masiv.
Studime të ndryshme si ai BB, FMN dhe së fundi edhe qeveria shqiptare ka deklaruar se, mbi e një e treta e ekonomisë noton tërësisht në të zezë, e përkthyer në vlerë monetare do të thotë se, madhësia e evazionit për një vit fiskal është rreth 1 miliard dollarë, në një kohë që arkëtimet buxhetore pritet të arrijnë në rreth 3 miliardë USD këtë vit.
Po si ndahet torta 1 miliard USD e infomalitetit ndërmjet bizneseve të mëdha të vogla dhe të mesme, cili sektor është i ekspozuar më shumë dhe se, cilat taksa kanë krijuar predispozitën më të lartë për shmangie?
Ekspertët e fiskut në kushtet e anonimatit shpjegojnë se, ka një parim të përbotshëm ku bizneset VIP janë kontributorët më të mëdhenj në të ardhurat buxhetore me rreth 60% të tyre, ndërsa bizneset e vogla në kushtet optimale, duke llogaritur zero evazion, nuk mund të sigurojnë më shumë se 10% të prurjeve, pjesa që mbetet e 20-25% e jep biznesi i mesëm. Në këto proporcione është i ndarë edhe evazioni fiskal, ndaj dhe administratat tatimore investohen në kontrollin e pjesës VIP të biznesit. Pasi më pak kosto administrative arrijnë rezultate më të larta në administrim. Porse çdo vend ka karakteristikat e veta të evazionit. Specifikisht Shqipëria e ka të bazuar ekonominë e saj te tregtia dhe konsumi dhe më pak te prodhimi, evazioni fiskal bëhet në procesin e importit, çka do të thotë se është lehtësisht më i kontrollueshëm për çështjet e taksimit. Peshën më të madhe e mbajnë mallrat e fortë cigare, karburante dhe pijet alkoolike.
Skema e evazionit me dy bilancet
Është pranuar tashmë se, evazioni fiskal ushtrohet në masë nga bilancet e rreme. Kjo praktikë është pohuar edhe nga bizneset që nuk po dinë të dalin nga skemat që vetë i kanë krijuar. Po si funksionojnë këto skema? Një ekspert kontabilist shpjegon për ‘Monitor’ me një ilustrim të thjeshtë mashtrimet me faturat në import që prodhojnë edhe dy bilance.
Një kompani që importon elektroshtëpiake nga Greqia deklaron në faturën që shoqëron mallin se vlera e një televizori që ka destinacion shitjen në tregun shqiptar është blerë 300 euro, por në fakt vlera reale e blerjes është 700 euro. Në momentin e zhdoganimit tarifat doganore dhe TVSH paguhen në vlerën e 300 eurove. Kështu shteti në vend që të marrë 140 euro TVSH për këtë televizor merr vetëm 60 të tilla. Evazioni prej 80 erosh në këtë rast është më shumë se 100%. Përveç TVSH-së me vlerën e rreme paguhen edhe taksat e tjera. Po ndërsa produkti shkon në tregun e pakicës, mashtrimet vazhdojnë.
Kur importuesi ia shet grosistit të shumicës, i merr vlerën e 800 eurove për televizorin, duke përfshirë këtu çmimin real që e ka blerë në Greqi plus normën e fitimit që i takon prej 100 eurosh.
Po edhe në këtë rast, fatura tatimore bëhet bazuar në faturën e rreme të blerjes në Greqi, e cila kap vlerën e 300 eurove, plus fitimin 50 euro. Këtu prodhohen dy fatura paralele, njëra për shtetin 350 euro dhe ajo e fshehta, realja 800 euro.
Kështu importuesi që shiti televizorin te grosisti, 350 eurot e faturës së rreme i depoziton në bankë, ndërsa pjesën tjetër prej 450 eurosh për çdo televizor të shitur e mban jashtë bankës. Importuesi pasi grumbullon pjesën e parave cash (informale) i çon ato te furnizuesi grek, kryesisht me anë të kamionit që transporton mallin.
Ndërsa nga fatura e ligjshme, por e rreme që ka në banka 350 euro për TV, një pjesë të saj prej 150 eurosh ai e raporton si shlyerje ndaj furnitorit, duke krijuar artificialisht edhe një detyrim ndaj tij në mbi 30%. Këtu lind detyrimi i rremë për sytë e shtetit, pasi në fakt furnitori është shlyer 100%. Këtu krijohet baza për pastrimin e parave, pasi furnitori grek paratë cash që merr partneri shqiptar i fut në sistemin bankar si shlyerje nga partneri shqiptar.
Ndërsa malli (televizor) shitet në pikat e pakicës me vlerën reale plus normën e fitimit që shkon 850 euro, hyn në punë vullneti i tatimorëve për kontroll të ndershëm dhe përdorimi i kasës fiskale po në këtë mënyrë. Duke lëshuar faturë tatimore me çmimin real, atëherë administrata doganore dhe ajo tatimore bashkëpunojnë për kryqëzimin e të dhënave dhe evazioni zbulohet.
Në këtë mënyrë janë krijuar dy bilancet, njëri me faturat e rreme dhe tjetri me realet. Kontabilisti ka shpjeguar për ‘Monitor’ se kjo është metoda klasike që biznesi krijon dy bilance. Kontabilisti thotë se, forma më e lehtë për të kuptuar bilancet e rreme janë detyrimet e larta që raportojnë kompanitë ndaj furnitorëve.
Duke shpjeguar këtë skemë ai pohon se fiskalizimi nuk është se e zgjidh çështjen e mashtrimit, duke qenë se kontrolli i kasave bëhet nga humanët (tatimorët), ndaj edhe këtu lind mundësia e madhe për korrupsion. Në vende të tjera me ekonomi të zhvilluar, evazioni është shpallur vepër e rëndë penale, me dënim me burg deri në 25 vjet, ndaj dhe mashtrimet me bilancet nuk janë kaq të rëndomta sa në Shqipëri.
Kontrabanda me mallrat e akcizës
Historikisht në ekonominë shqiptare janë kontrabanduar mallrat e akcizës, për arsye që lidhen me madhësinë e informalitetit në Shqipëri, dobësinë e kontrollit të institucioneve dhe nga ana tjetër, diferenca e taksimit ka nxitur elemente të kontrabandës.
Por këtë vit, kur të ardhurat nga doganat nuk u realizuan në masën e 80 milionë dollarëve në gjashtëmujorin e parë, kërkimet për shkaqet kanë nxjerrë në pah elemente në rritje të kontrabandës së cigareve. Inspektorë të terrenit në administratën doganore kanë pohuar se, skema e kontrabandës të cigareve fshihet pas zhdoganimeve të mallrave të lirë. Kështu, një kamion me cigare zhdoganohet për ushqime të përpunuara ose të tjerë artikuj më të lirë. Kjo lloj kontrabande ka mbështetje politike dhe bëhet me mbështetjen e stafit të doganës – ka pohuar inspektori i terrenit.
Të dhënat nga Doganat tregojnë se importi i cigareve ka qenë mbi 4 mijë tonë në vit para viteve 2000 kur akciza e cigareve ishte 50 lekë për paketë. Por, në vitin 2011, kur qeveria e atëhershme e rriti akcizën nga 50 lekë në 70 lekë për paketë, importet e ligjshme ranë me një të katërtën. Ministria e Financave në atë kohë shprehu shqetësimin se në zonat kufitare si në Shkodër apo Kukës, pati një rritje të ndjeshme të kontrabandës, nga tregtarë të vegjël që marrin disa steka cigaresh përtej kufirit për t’i shitur në territorin shqiptar.
Ndërsa shmangia nga taksat e cigareve dhe duhanit në tërësi bëhet në dy rrugë, nëpërmjet kontrabandës në import dhe prodhimit vendas.
Importet i cigareve janë në rënie sistematike në mbi 8% në vit në harkun e 2011-2015, kur akciza shkoi nga 70 lekë në 110 lekë. Por në një kohë që akciza është rritur nuk ka të dhëna për uljen e konsumit, OBSH raporton se konsumi në Shqipëri është në rreth 30% të popullsisë në moshë të rritur, ndërkohë që kompanitë multinacionale në vend nëpërmjet studimeve të tregut tregojnë se konsumi i cigareve është rreth 4 mijë e 700 tonë në vit. Hendeku ndërmjet konsumit dhe importit llogaritet rreth 40%. Por një pjesë të këtij hendeku duket se e zë prodhimi vendas, i cili është tërësisht jashtë taksimit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i duhanit në fund të vitit 2014 arriti në 3 mijë tonë. Nga kjo sasi, rreth 1800 tonë sipas shifrave të tregtisë së jashtme nga INSTAT u eksportuan jashtë vendit. Sipas të dhënave të INSTAT të përpunuara nga ‘Monitor’, rreth 90% e sasisë është eksportuar në Greqi. Gjatë vitit që shkoi, në hartën e eksporteve të cigareve është përfshirë edhe Libia, Çekia dhe Polonia. Ndërsa 1200 tonë të tjera prodhim vendi që u konsumuan në Shqipëri ishin tërësisht jashtë taksimit.
Nga një hulumtim i ‘Monitor’ në treg u pa që prodhimet e vendit që nuk paguajnë asnjë taksë, qoftë në formën e duhanit gjethe, i grirë apo cigare, shiten me pakicë 50 – 100 lekë paketa me 20 copë. Ndërsa cigaret që vijnë nga importet e pazhdoganuara janë në dy kategori: E para është cigare e shtrenjtë që shitet me 500 lekë/paketa (tek çdo shitës ambulant) dhe e dyta cigare të lira që variojnë nga 100 – 150 lekë (paketa me 20 copë më e lira zyrtarisht është 180 lekë).
Kontrabanda e naftës
Protagonistët e tregut të naftës pohojnë se skema e shmangies së taksave në karburante zhvillohet në tri mënyra. E para është kontrabanda me naftën e importit, kontrabanda me naftën e vendit dhe evazioni fiskal në pikat e pakicës.
Kontrabanda nga importi mësohet të jetë minimizuar ndjeshëm pas përqendrimit në dy portet kryesore, Porto Romano dhe Petrolifera të sasive që vijnë nga jashtë. Por ndërkohë që konsumi sipas grosistëve është rreth 550 mijë tonë në mesataren e një viti, të dhënat e gjashtëmujorit tregojnë se është zhdoganuar çereku i këtij volumi 190,284 tonë, ndërkohë që importet këtë vit duke iu referuar gjashtëmujorit të parë, kanë shënuar ulje vjetore me 6%.
Aktorët e tregut pohojnë se diferenca ndërmjet importeve ligjore dhe konsumit plotësohet nga kontrabanda, e cila bëhet nga peshkarexhat që mbushen me naftë në brigjet italiane, e cila më pas shitet në tregun vendas. Ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga hedhja në treg e naftës së vendit, e cila pavarësisht se është në kushte të njëjta taksimi si me naftën e importit, për sa i përket akcizës nuk është se i nënshtrohet këtij regjimi 100%.
Pjesa tjetër e evazionit në këtë linjë duket se bëhet gjatë shitjes me pakicë, nga mospërdorimi i kasës dhe spekulimit me cilësinë. Duke raportuar në Kuvend për çështjen e taksimit të karburanteve, drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, pati pohuar se nga kontrollet në treg ishte vërejtur se kompanitë e karburanteve kishin kryer evazion fiskal në vlerën e 100 milionë dollarëve gjatë vitit 2014, në një kohë që madhësia e tregut në fjalë është diku te 400 milionë eurot.
Përjashtimet e TVSH-së, burimi i evazionit
Një studim i detajuar që Fondi Monetar dhe Banka Botërore kanë bërë për konsolidimin fiskal në vendin tonë është parë se, Shqipëria ka ende opsione për të rritur rendimentin fiskal pa ndryshuar përqindjet aktuale të taksave. Përjashtimet që qeveria e shkuar aplikoi mbi importet e mallrave kapitale, jo vetëm i kanë reduktuar të ardhurat, por shihen nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar në kundërshtim me sistemin e TVSH-së në BE-së. Në prill 2013, ligji i TVSH u ndryshua për të përjashtuar importet e mallrave kapitale. Tre vjet më parë, qeveria i kishte përjashtuar importet e pajisjeve për investime që kushtonin më shumë se 500,000 USD. Pajisjet e importuara për eksplorimin e naftës dhe të zhvillimit janë përjashtuar. Përveç ngushtimit të bazës tatimore, ekspertiza e FMN ka sugjeruar se këto përjashtime kanë krijuar mundësi të mëdha për përdorim të gabuar. Çdo autoritet tatimor do ta kishte të pamundur për të kontrolluar përdorimin fundor të çimentos ose çelikut, nëse po shkojnë për ndërtime HEC-esh apo ndërtime të tjera. Të gjitha këto masa kanë ulur të ardhurat nga TVSH me 0.5%. Qeveria shqiptare ka marrë sugjerimet nga FMN dhe BB që të heqë këto përjashtime. Bujqësia shihet si një sektor tjetër gati tërësisht i patatuar. Por, sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, ndryshimet tatimore në këtë sektor kërkojnë analizë më të thellë fiskal-ekonomike dhe sociale që është përtej qëllimeve afatshkurtra të politikës fiskale. Këto lidhen me zgjerimin e bazës së TVSH-së dhe taksimit të bujqësisë, turizmit dhe pasurive të paluajtshme. Ligji i TVSH ka vetëm një normë 20%. Normë zero TVSH është aplikuar vetëm për eksportet dhe disa mallra dhe shërbime janë të përjashtuara. Pragu i TVSH për regjistrim është 5 milionë lekë e xhiros vjetore të biznesit. Ministria e Financave është duke shqyrtuar mundësi për përfshirjen e banesave të reja në TVSH, për shkak se edhe në BE, ndërtesat e reja janë subjekt i TVSH-së. Analizat e Bankës Botërore sugjerojnë se Shqipëria mund të mbledhë 10 miliardë lekë nga ky sektor me normën maksimale të TVSH-së 20%, duke siguruar një rritje të arkëtimeve nga ky tatim me 1.5% të PBB.
Beteja e humbur me informalitetin
Në buxhetin e këtij viti, qeveria kishte programuar të grumbullonte 45 miliardë lekë më shumë se në 2014, me një rritje tejet ambicioze të të ardhurave me mbi 12%. Nga kjo sasi, 20 miliardë lekë ishin programuar të merreshin nga lufta ndaj informalitetit, ndërsa pjesa tjetër prej 25 miliardë lekësh do të ndahej ndërmjet rritjes së taksave dhe rritjes ekonomike. Sipas zërave kryesorë të të ardhurave, të ardhurat tatimore u programuan të rriten me rreth 42 miliardë lekë, duke kapur nivelin e 377.1 miliardë lekëve ose 25.3% të PBB, nga 335 miliardë lekë ose 24% e PBB që ishin në buxhetin fillestar 2014. Nga këto, të ardhurat nga tatimet dhe doganat pritej të rriteshin me rreth 34.2 miliardë lekë. Projekti “surprizë” i qeverisë për vitin 2015, parashikoi një rritje të të ardhurave me 2.7% pikë përqindjeje të PBB, kjo është rritja më e madhe e programuar gjatë një viti në historinë e tranzicionit.
Tani kur kanë kaluar gati 8 muaj nga viti 2015, që sipas raportimeve të qeverisë ka qenë i begatë, me rritje ekonomike 2.8% më e madhja e tre viteve të fundit, me ringritje të konsumit në 4.7%, çka i bën më të vështira argumentet për të kuptuar pse të ardhurat tatimore dhe doganore kanë marrë pikiatën.
Në fund të gjashtëmujorit, të ardhurat nga administratat fiskale ishin 13.4 miliardë lekë më pak se plani i periudhës. Sipas të dhënave të detajuara, në këtë mosrealizim 68% është pesha e doganave (-9.1 mld lekë) dhe 32% pesha e tatimeve (-3.4 mld lekë). Doganat mblodhën 12.2% më pak se plani me 9,1 miliardë lekë të munguara. Por nëse marrim në konsideratë faktin se plani i doganave mund të ketë qenë i ekzagjeruar këtë vit, administrata doganore ka grumbulluar 6% më pak se në 2014-n dhe këtu futet opsioni i kontrabandës pasi konsumi nga ana tjetër është rritur.
Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, vetëm në Tatimin mbi Fitimin dhe TVSH, informaliteti i kalon edhe 50%. Për çdo 1% të normës së tatimit të TVSH, administrata tatimore mbledh TVSH vetëm 53% të konsumit të përgjithshëm, duke lënë 47% të pataksuar. Edhe më e rëndë paraqitet situata në tatimin e të ardhurave personale, ku vetëm 6% e bazës së PBB-së tatohet me të vërtetë. Pas kësaj analize, Banka Botërore sugjeron se në Shqipëri ka ende një hapësirë në 15% të PBB-së në administrimin fiskal. Shqipëria mbledh aktualisht 40% të ardhura më pak se vendet e tjera të rajonit në raport me PBB-në.
Zgjidhja
Informaliteti është pjesë e të gjitha sistemeve ekonomike me tregje të lira, porse madhësia e tij gjithashtu është e ndryshme dhe së shumti në varësi të qeverive.
Kontabilistët që zbërthyen skemat e mashtrimit, pohojnë se ka edhe zgjidhje.
Një prej zgjidhjeve shihet te kryqëzimi i faturave, pra krahasimi i çmimeve me pakicë të mallrave të importit dhe çmimeve që janë deklaruar në doganë. Diferencat mbi 300 për qind mes vlerës së pakicës dhe vlerës së zhdoganimit i kalojnë të gjitha logjikat e fitimit, kështu që tatimorët e kanë shumë të lehtë të zbulojnë këtë element. Në këtë rast bëhet domosdoshmëri përdorimi i kasës, por kontabilisti pohon se vëmendja e qeverisë duhet të përqendrohet të bizneset ekzistuese. Por a mjafton vetëm përdorimi i kasës? Kontabilistët thonë jo. Pasi kasa, edhe nëse përdoret, ka 100 mënyra të manipulohet. Dhe inspektorët që duhet të kontrollojnë përdorimin rigoroz të saj janë lehtësisht të korruptueshëm. Gjithashtu teknologjia e përdorimit të kasës kalon në shumë mënyra mashtrimi që vështirë të kapen edhe nga tatimorët. E vetmja mënyrë që qeveria mund të zgjidhë uljen e evazionit fiskal është të ndryshojë Kodin Penal duke bërë mashtrimin me bilancet vepër të rëndë penale, siç është në SHBA me 25 vjet burg. Pasi dënimi vetëm 5 vjeçar që është aktualisht në legjislacionin tonë dhe në një rast real nuk përfundon me dënim më shumë se 1-2 vjet, nuk mjafton për të ndalur fenomenin e abuzimit me dy bilancet. Kontabilisti kujton se të rastis që të në qendër të Vjenës të pish kafe pa kupon tatimor, por në të njëjtën kohë Austria është një ndër vendet me rendimentin më të lartë fiskal në Europë.
Monitor