Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke komentuar fjalën e Ramës në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS-së, ku akuzoi SPAK-un, e cilësoi atë një akt force të kryeministrit, duke shtuar se ky institucion ndodhet në një moment dobësie.
“Është një raport që do të përgatitet në prill dhe ndoshta kjo çështje mund të prekë cilësinë e atij raporti dhe në këto dy vendimet e fundit kanë qenë gjermanët që kanë qenë refuzues dhe gjermanët janë më të fokusuarit te heqja e imunitetit të zonjës Balluku.
Bëhet fjalë për heqjen e imunitetit për arrest, sepse me kuadrin tonë ligjor nuk ka imunitet për hetimin, sepse siç thotë Rama ne me konsensus e kemi hequr imunitetin, ndërkohë që Italia apo vende të tjera kanë imunitet për proceset.
Marrëdhënia e qeverisë me SPAK-un është si lojë shahu dhe kjo lojë nuk është mbyllur. Është e vërtetë se Rama i bëri një mbrojtje punës së Ballukut, pra të qeverisë, përqendrohej mbi disa shtylla. Përshembull, nuk keni prova të reja, na kërkuat në fillim arrestin shtëpiak, apo kufizimin e lëvizjes jashtë shtetit dhe pa prova të reja po kërkoni një masë të re sigurie.
E dyta ishte se keni frymëzim politik. Elementi i tretë është se nuk keni fare prova për akuzën e shpërdorimit të detyrës, nuk kemi korrupsion. Shtrohet pyetja pse PD-ja sillet sikur loja mbaroi? Lufta e SPAK me PS do të vazhdojë.
Ky SPAK i ri i drejtuar nga Braho duket se ka imponuar sekret të plotë hetimor, nuk rrjedhin më materialet. Ka një marrëveshje të heshtur mes pozitës dhe opozitës apo SPAK-ut. Deklarata e Ramës është një akt force. Ta sulmosh SPAK-un ashtu. Mos është dobësuar? Mos është luftë për kohën sepse prokurorëve u mbaron mandati? Ambasadorit të BE-së i mbaron mandati në prill. Rama diçka di”, tha Nazarko.











