Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të projektit NEST (Networking for Smart Tourism Development), projekt i financuar nga programi Interreg – IPA CBC Itali – Shqipëri – Mali i Zi, mori pjesë në një trajnim online midis partnerëve të projektit për ngritjen e kapaciteteve në “Menaxhimin e Destinacionit Inteligjent”.
MFE-ja u përfaqësua nga menaxherja e projektit NEST, Iris Tela, e cila prezantoi për pjesëmarrësit në trajnim objektivat, produktet, rezultatet dhe ecurinë e projektit NEST.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Drejtorisë për Zhvillimin e SME-ve të Ministrisë së Ekonomisë së Malit të Zi, ekspertë të turizmit, mentorë dhe përfaqësues nga Universiteti i Salento-s e Parkut Shkencor Tecnopolis të Universitetit të Barit në Itali.
Përfaqësues të këtyre dy instituteve akademike shpjeguan për pjesëmarrësit në këtë aktivitet se si mund të zhvillohen itinerare atraktive për fuqizimin e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla e të mesme në fushën e turizmit, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm nëpërmjet inovacionit e teknologjive digjitale në vendet e rajonit të përfshira në këtë projekt: Shqipëri, Mali i Zi e Puglia dhe Molise (Itali). Krijimi i eksperiencave unike me ndihmën e laboratorit të inovacionit në turizëm ishin në fokus të këtyre prezantimeve. Partnerët planifikojnë edhe takime transnacionale midis aktorëve të turizmit në këto rajone për shkëmbimin e eksperiencave në krijimin e itinerareve të përbashkëta ndërkufitare Itali – Shqipëri – Maili i Zi sipas dy tematikave të enogastronomisë e trashëgimisë kulturore dhe sportit e natyrës.