Gjatë muajit të Ramazanit, vetëm myslimanët e imunizuar kundër Covid-19 do të lejohen të kryejnë pelegrinazhin Umrah, kanë thënë autoritetet saudite.
Ndryshe nga haxhi, pelegrinazhi më i shkurtër i Umrah-s nuk është i detyrueshëm dhe mund të kryhet në çdo kohë të vitit.
Ministria e Haxhit dhe Umrah-s njoftoi se tre kategori njerëzish konsideroheshin si të imunizuar: ata që kanë marrë dy doza të vaksinës; ata që kanë marrë vetëm një dozë të paktën 14 ditët e fundit dhe ata që e kanë kaluar virusin.
Vetëm këta pelegrinë do të kenë mundësi të marrin pjesë në lutjet në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës. Ministria tha se vendimi hyn në fuqi në fillim të Ramazanit, por akoma nuk dihet sesa do të zgjasë./ b.h