Disfata e madhe e PD-së në referendumin e 6 nëntorit 1994. Vizita e beftë e Xhorxh Bushit në Tiranë. Piruetat e Berishës për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, dorëheqja e Dhimitër Anagnostit si ministër i Kulturës dhe dyshimet mbi Aleksandër Meksin. Pse u duartrokit Enver Hoxha në ditën e 50-vjetorit të çlirimit…
Nga Xhevdet Shehu
I ftuar nga presidenti Sali Berisha, ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, së bashku me bashkëshorten Barbara Bush dhe disa bashkëpunëtorë të ngushtë të administratës së tij, bënë një vizitë disa orëshe në Tiranë. Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shqiptaro – amerikane dhe ngritja e tyre në nivelin më të lartë, (sipas zëdhënësit të Presidentit) dominoi bisedimet e presidentit Berisha me zotin Bush.
Por nuk u tha asnjë fjalë për referendumin e 6 nëntorit! Sikur në Shqipëri të mos kishte ndodhur asgjë. Të mos ishte prekur fare kjo temë në bisedimet e gjata që bënë kokë më kokë Berisha dhe Bush? Të ishte krejt e rastësishme kjo vizitë, vetëm 5 ditë pas referendumit?
Ja si u zhvilluan ngjarjet:
Nuk kishin kaluar as 24 orë nga vizita e Bushit, kur nga Presidenca më njoftuan se të nesërmen, pra më 14 nëntor, në orën 11, Presidenti do të japë një konferencë shtypi të rëndësishme.
Ç’do të thoshte kjo? Ai e kish dhënë një konferencë shtypi për referendumin më 7 nëntor, të gjithë e kishin marrë vesh rezultatin, ndonjë mbledhje e PD-së ende nuk ishte bërë, ndonjë zhvillim tjetër i rëndësishëm nuk kishte ndodhur. Ç’të ishte, pra, ajo gjë e rëndësishme që do të na kumtonte?…
Hymë si zakonisht në Presidencë ne gazetarët e përhershëm të atyre konferencave të shpeshta, disa minuta para orarit të paracaktuar. E njëjta enigmë na mundonte thuajse të gjithëve. Dhe fakti i parë që konstatuam ishte “optimizmi” në fytyrat e nëpunësve të Presidencës, që nga këshilltari politik, zëdhënëset, e deri te rojet.
Berisha hyri në orën ekzakte, me hapin e tij të madh. U ul i vetëm, siç ulej gjithmonë, në tavolinën përballë nesh krejt normalisht. Ishte një Berishë tjetër ky, krejt i kundërt me atë të një jave më parë, madje edhe me atë të dy ditëve më parë kur fliste me vete në Pallatin e Brigadave…
Objekti i konferencës ishte i njëjtë: Referendumi. Berisha do të bënte analizën e humbjes së projekt-kushtetutës.
Arsyet e asaj humbjeje sipas tij ishin tri:
– Pakënaqësia ndaj disa neneve të projektit të paraqitur;
– Pakënaqësia ndaj reformës, mënyrës së qeverisjes dhe korrupsionit të përfolur në segmente të caktuara të shtetit;
– Bashkimi i ekstremizmit të majtë e të djathtë…
Megjithatë, më 6 nëntor, në Shqipëri fitoi Demokracia, tha Berisha. Pro kushtetutës votuan 42 për qind e shqiptarëve dhe kjo është lokomotiva e demokracisë.
Për të argumentuar këtë ai përdori një aritmetikë të thjeshtë: Rreshtimi Antikushtetutë numëronte 17 parti. Të gjitha së bashku ato morën 51 për qind të votave, domethënë nga 3 për qind secila. Ndërsa PD e vetme përballë tyre mori 42 për qind… Ja lokomotiva!
Gazetarët mbajtën frymën dhe panë në sy njëri-tjetrin. Por Berisha vazhdoi më tej: “Partia Demokratike mendon se edhe projekti tjetër i kushtetutës të miratohet me referendum…”.
Parlamenti u përjashtua sërish si rrugë për miratimin e kushtetutës. Ndërsa zgjedhjet e parakohshme nuk u zunë fare në gojë.
Ndërsa po dilnim nga Presidenca, gati të shokuar nga ato që kishim dëgjuar, njeri nga kolegët më citoi në rusisht vargjet e njohura të Majakovskit: “Mi gavarim Ljenin, padrazumjevajem Partia,/ Mi gavarim Partia, padrazumjevajem Ljenin!”.
Ata që kishin pritur dhe shpresuar shumë se pas 6 nëntorit do të ndodhnin ndryshime të mëdha në skenën e politikës shqiptare, u zhgënjyen shpejt. Gjithnjë e më shumë filloi të kristalizohej mendimi se me votë të lirë, demokratike, Berisha nuk kishte për ta lëshuar kurrë pushtetin.
***
Pas konferencës së shtypit të 14 nëntorit, u pa se edhe Qeveria e Meksit nuk do të rrëzohej. Pas një mbledhjeje të gjatë të Këshillit Kombëtar të PD-së më 21 nëntor, kryetari i saj, Eduard Selami, i deklaroi Radio Tiranës se ndryshimet në Qeveri do të jenë të thella dhe se do të bëhen brenda javës…
Për këto ndryshime bëhej shumë zhurmë, zienin thashethemet. Që nga kryeministri e shumica e ministrave nuk pranonin t’i linin postet, duke lënë të nënkuptohej se “nuk jemi ne fajtorë për humbjen, po dikush tjetër…”. Por, se kush ishte ky dikush tjetër, nuk thuhej, ndonëse nënkuptohej qartë.
E ndërsa zienin kafenetë, rrugët e koridoret e dikastereve dhe ngjireshin telefonat nga thashethemet, më 23 nëntor ndodhi e papritura e parë: ministri i Kulturës, Dhimitër Anagnosti, dha dorëheqjen.
Në deklaratën e bërë me këtë rast, të cilën unë e transmetova thuajse të plotë te Zëri i Amerikës, Anagnosti bëri përgjegjës Berishën për humbjen në Referendum, ndërsa për Meksin thoshte se nuk ka kurajon të japë dorëheqjen.
Qeveria nuk është mbledhur të bëjë analizën e rezultateve të referendumit sipas kërkesës që ai kishte bërë, kurse grupi parlamentar nuk kishte bërë analizë të drejtë për 6 nëntorin. Ai, gjithashtu shprehte pakënaqësinë për një lojë e përgojosje pas krahësh që i bëhej atij si ministër.
Natyrisht, për Zërin e Amerikës më duhej edhe reagimi i kryeministrit, komenti i tij për ngjarjen në fjalë.
Çuditërisht, Meksi tha në telefon:
“Një njeri i ndershëm si Anagnosti, një njeri i shquar në fushën e tij dhe në drejtimin e ministrisë, sipas mendimit tim, në ato kushte të kufizuara që kishte Qeveria për reformën në këtë periudhë tranzicioni, sigurisht që ka të drejtë të ndihet i fyer dhe të mos pranojë të qëndrojë në një qeveri me ata, të cilët, në një mënyrë a në një tjetër, nuk kanë mbajtur sipas tij qëndrimin që duhej të mbanin”.
Menjëherë pas transmetimit të kësaj deklarate, në Zërin e Amerikës, u “zgjua” Eksperti Presidencial. Ç’tha tjetër Meksi? Kujt ia hodhi fajin e humbjes? A përmendi ndonjë emër? Mos foli gjë për zgjedhje të reja?…
Kishin filluar dyshimet. Dhe dyshimet tregojnë frikë, dobësi, ankth… Dhe nuk ishin dyshime dosido. Ato kishin filluar të binin edhe mbi kryeministrin. Ankthi dhe frika domethënë ishin shfaqur më lart…
Pas Ekspertit, telefonoi kryeredaktori i RD-së, i cili më përsëriti thuajse të njëjtat pyetje. Duam ta botojmë deklaratën e Meksit, më tha. Ajo ishte, iu përgjigja, e gjitha u dha në radio… Sidoqoftë ne na duhet deklarata origjinale… Dhe dërgoi një gazetar që ta inçizonte… “Sepse nuk arritëm ta regjistronim”, tentoi të justifikohej.
Megjithatë, deklarata e Meksit nuk u botua as të nesërmen dhe as më vonë në gazetën e partisë në pushtet.
Më 25 nëntor në mëngjes mora vesh për një mbledhje të grupit parlamentar të PD për ndryshimet në qeveri, e cila kishte vazhduar edhe pas mesit të natës. Deputetëve të PD u ishte kërkuar të votëbesonin të gjithë ministrat, përfshi dhe kryeministrin dhe, për ata që nuk do ta kalonin këtë provë, do të thoshte shkarkim. Mbledhje tjetër për këtë çështje nuk do të bëhet, u ishte thënë deputetëve paraprakisht…
Dhe ata e kishin vlerësuar maksimalisht atë mbledhje. “Burimi i sigurt” më tha emrat e ministrave që kishin humbur në votim. Ata ishin: zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku, ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, ministri i Jashtëm Alfred Serreqi, Manushi i Ndërtimit, Belortaja i Industrisë dhe Tregtisë, Dishnica i Financave si dhe Anagnosti i Kulturës, i cili kishte dhënë dorëheqjen dy ditë më parë.
Megjithëse e mora vesh këtë lajm që në mëngjes, prita se mos ai njoftohej zyrtarisht nga mjetet shtetërore të informacionit deri një gjysmë ore para emisionit të orës 18. Asnjë lajm për këtë, sikur të mos kish ndodhur asgjë një natë më parë, ndërkohë që thuajse gjithë Tirana i kishte marrë vesh ndryshimet.
– Atëherë le ta japim ne të parët lajmin, – vendosi shefi.
Mirëpo, sapo u transmetua ky lajm në Zërin e Amerikës tringëlloi me nervozizëm telefoni. Ishte Eksperti Qeveritar.
“Nga i more vesh ata emra që dhe?…”. “Nga burimi i sigurt”… – iu përgjigja pa treguar emrin e burimit. “Po sikur ndonjëri prej tyre, Iksi apo Ypsiloni, të mos largohet, domethënë se do të jenë sërish ministra?…”.
“Atëherë unë do të jap njoftimin zyrtar se ata, domethënë Iksi apo Ypsiloni, do të jenë ministra”- e sqarova i përmbajtur. “Na ke prishur shumë punë me atë lajm, kupton?”, ishin fjalët e fundit të Ekspertit, gjithsesi të përmbajtura, para se të mbyllte telefonin.
… Dy ditë më vonë në pritjen që u dha nga Presidenti i Republikës në Pallatin e Brigadave me rastin e 28 Nëntorit, u takova me kryeministrin, i cili, pasi më tha me të qeshur se “ma ke bërë çorap Qeverinë”, më konfirmoi se lajmi që kisha dhënë ishte plotësisht i vërtetë. Ministrat që kishin humbur votbesimin ishin të pranishëm në pritje, por ata ishin krejt të tulatur dhe mezi prisnin t’i përshëndeste dikush apo t’u thoshte ndonjë fjalë të mirë.
– A mund të ndodhë që të kthehet ndonjë nga ata Të shtatët (kundër Tebës)? – e pyeta Meksin gjatë mbrëmjes.
-Nuk besoj… Por edhe mundet, – u përgjigj mëdyshas ai, duke më treguar me kokë nga salla ku ishte ulur Berisha me Rugovën. Në kolltuqet pranë tyre ishin ulur e po bisedonin kokë më kokë Zhulali me ambasadorin amerikan.
– Mundet, – tha përsëri Meksi, – por nëse ndodh kjo, ta dish se unë… do të jap dorëheqjen!
Në të vërtetë, Zhulali mbeti sërish ministër i Mbrojtjes, edhe Serreqi ministër i Jashtëm, ndërsa Meksi nuk e dha dorëheqjen.
Dekretin për ndryshimet në Qeveri, Berisha e publikoi në ditët e para të dhjetorit. Me këtë dekret Teodor Laço zëvendësoi Anagnostin në postin e ministrit të Kulturës, por Socialdemokratët thanë se ai nuk e ka mandatin e partisë për këtë emërim. PSD e kishte braktisur përfundimisht koalicionin qeveritar.
Ndërsa republikanët, ndonëse e mbështetën Berishën në referendum dhe njiheshin si aleatë të tij, kishin një peshë të papërfillshme në koalicion. Pas 6 nëntorit edhe republikanët me Godon në krye, filluan të largohen gjithnjë e më shumë nga PD, deri në një divorc të pariparueshëm…
***
Koha pas Referendumit do të shfaqte herë pas here të papritura të ndryshme, të cilat gjithsesi nuk ishin në favor të Berishës. Një e tillë ka qenë, për shembull, kremtimi që iu bë 50 vjetorit të Çlirimit. Një vit më parë Parlamenti i dominuar nga demokratët kishte vendosur me shumicë votash që dita e Çlirimit të Shqipërisë të mos ishte 29 Nëntori, sikurse ishte përkujtuar gjatë regjimit komunist, por 28 Nëntori.
Dhe më 1994, pushteti i kremtoi edhe Ditën e Flamurit edhe Ditën e Çlirimit në një ditë. Për herë të parë në podiumin e festave dhe në parakalimin simbolik që u bë para korpusit të Universitetit, u shfaqën krah për krah ish-partizanët dhe ish-nacionalistët, sikurse i quante prapaganda zyrtare ballistët dhe zogistët, të privuar nga ky gëzim për gjysmë shekulli.
Megjithatë, të gjitha ceremonitë e organizuara me këtë rast ishin krejt të zbehta, gati formale. Një mbledhje solemne, ku fjalimet kryesore i mbajtën Ymer Dishnica dhe Aleksandër Meksi, si dhe parada para Universitetit, që nuk zgjati më shumë se 15 minuta, përbënin kremtimet publike të festave.
Pritja në Pallatin e Brigadave shënoi mbylljen zyrtare të këtyre ceremonive, ku dukej qartë bojkotimi nga opozitarët, sidomos nga veteranët e Luftës Antifashiste.
Pikërisht në këtë moment, domethënë një ditë më pas, më 29 Nëntor, ndodhi e “papritura” e madhe, së cilës ia kishin frikën pushtetarët demokratë. Në sallën e Akademisë së Arteve të Bukura, aty ku një Ansamble Popullore e kishte shpallur Shqipërinë Republikë në janar të vitit 1946, ndërsa më 1948 ishte mbajtur Kongresi i parë i PKSH, ishin mbledhur veteranët e Luftës Antifashiste për të përkujtuar Ditën e Çlirimit.
Salla ishte mbushur plot e përplot, në plate e në lozha, ku, përveç veteranëve merrnin pjesë edhe përfaqësues të disa partive politike të opozitës si PS, PSD, PUK etj. Kishte edhe të rinj, entuziazmi i të cilëve binte më shumë në sy.
Mbledhjen e hapi ish-kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe një nga njerëzit më besnikë të Enver Hoxhës, veterani Haxhi Lleshi, ndërsa fjalën e rastit e mbajti ish-ushtaraku i lartë Dilaver Poçi, i dënuar nga Enver Hoxha në vitet ’70. Oratorët, midis të cilëve dhe përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse, mbrojtën me zjarr luftën partizane nga deformimet që po i bëheshin nga pushteti aktual dhe 29 Nëntorin si ditë të Çlirimit të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje, për herë të parë pas më shumë se katër vjetësh, u duartrokit me entuziazëm për Enver Hoxhën. Kjo ndodhi në një moment ndërsa oratori Dilaver Poçi e përmendi emrin e Enver Hoxhës si një nga protagonistët e asaj lufte heroike të partizanëve shqiptarë. Salla u ngrit në këmbë dhe, si një herë e një kohë, filloi të duartrokiste e të brohoriste “Enver Hoxha, Enver Hoxha!”…
Ndërsa po regjistroja, vështroja me vëmendje sallën. Entuziazmi i dikurshëm i kongreseve të Partisë së Punës dhe brohoritjet për Enver Hoxhën që ishin ruajtur me fanatizëm, ishin një sfidë e pashembullt për pushtetin antikomunist në fuqi.
Kronika për këtë takim ka qënë nga të rrallat që e kam transmetuar me shumë vështirësi. Pas çdo fraze ndërpritej lidhja telefonike me Amerikën. Por durimi i shefit Elez Biberaj dhe i kolegëve të tjerë në Uashington ishte i madh. Në orën 18, ndërsa ishte dhënë sinjali i fillimit të programit, e përfundova së transmetuari materialin. Bashkë me duartrokitjet për Enver Hoxhën. Nënteksti ishte i qartë: në Shqipëri ishte shpallur haptaz dashuria për Enver Hoxhën, nostalgjia për regjimin e tij…
(Ai ishte për ne shqiptarët. Ai na i dinte huqet… Ah, sikur të ngjallet edhe njëherë! Eh, nëne, nëne!…- dëgjohen ende të thonë simpatizantët e Enver Hoxhës.
Ndërsa nuk janë të paktë ata që mendojnë se Shqipërinë mund ta fusë në rrugën e prosperitetit një “Diktaturë e ndritur”, sikurse shkruante në vitet ’30 publicisti i shquar Ismet Toto).
Edhe pa bërë asnjë koment, ato duartrokitje e mbartnin vetvetiu brenda nëntekstin që doja të përcillja te dëgjuesit si mesazh. Provë më autentike të zhgënjimit të madh, të megamashtrimit që kishte pësuar një popull nuk mund të gjeje.
Në radhë të parë, këtë nëntekst duhej ta “lexonte” partia në pushtet sepse tek ajo parti populli pati ushqyer shumë shpresa dhe e donte si alternativë të së ardhmes, jo të së shkuarës.
Fatkeqësisht, PD dhe Berisha, më saktë, Berisha dhe PD që sundohej prej tij, e dëgjuan, por nuk e lexuan asnjëherë këtë mesazh. Përkundrazi, u egërsuan më keq, vazhduan të ecnin me shpejtësi dhe vendosmëri në rrugën që ishin nisur, drejt katastrofës.
Humbja e 6 Nëntorit ishte padyshim një disfatë e madhe për ta. Por, njëkohësisht ajo humbje ishte edhe një shans për të korigjuar plot gjëra të gabuara, që, ndoshta, ishin bërë të nisura nga qëllimi i mirë.
Pendesa është njerëzore.











