Prishja e një objekti kulti, i njohur si kisha e Shën Thanasit në Dhërmi, ka marrë jehonën edhe në mediat e huaja greke në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas mediave greke në SHBA, pas kundërshtimeve nga kisha ortodokse apo dhe qeveria helene, edhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka shprehur shqetësim për këtë veprim.
Siç raporton “Hellenic News of America”, ambasadori Lu, është takuar me Kryeministrin Edi Rama, ku i ka shprehur protestën për shkatërrimin e kishës dhe i ka kërkuar të gjejë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Ajo që shkruhet në këtë gazetë është mosrespektimi, sipas saj, i të drejtave të besimit ortodoks në Shqipëri dhe minoritetit etnik grek.
Ndër të tjera, gazeta greke shkruan se Uashingtoni është vënë në lëvizje për gjithçka që është raportuar nga pala greke. Por ajo që mbetet me mjaft interes është pikërisht edhe vizita e zëvendëspresidentit, Mnelas Tzelios, në Shqipëri. Gazeta thotë se Tzelios i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të marrë menjëherë masa për të rregulluar marrëdhëniet mes qytetarëve të saj të krishterë ortodoksë, nëse dëshiron të ketë një vend të merituar në komunitetin e kombeve të qytetëruara.
Sakaq, takimi Lu-Rama nuk është mohuar as nga ambasada e SHBA. Zëdhënësi i ambasadës amerikane Ryan Roberts, duke folur për gazetën “Shqip” nuk e mohoi takimin e zyrtarëve të lartë të ambasadës me politikanë në vend apo dhe besimeve fetare, pasi kjo, sipas tij, është pjesë e detyrave të përditshme zyrtare.