Dy gazeta opozitare turke të bastisura në një valë të shtypjes ndaj armikut kryesor të presidentit, Recep Tayyip Erdogan, u shndërruan përnjëherë në media proqeveritare të premten, duke botuar ballina me përmbajtje mbështetëse për qeverinë, pasi menaxhmenti i ri i caktuar nga shteti shkarkoi pjesën më të madhe të stafit të tyre.
Policia përdori sprej biberi dhe topa uji ndërsa bastisi të enjten zyrat e kompanisë mediale, ku funksionojnë edhe gazetat “Bugun” dhe “Millet”, si dhe dy kanale të tjera televizive, duke e marrë ndërtesën nën kontroll, si pjesë e një hetimi ndaj rrjetit të klerikut me seli në SHBA, Fethullah Gulen, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e Reutersit.
Veprimi i ndërmarrë pak para zgjedhjeve të përgjithshme të dielën nxiti kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut në Turqi dhe jashtë saj.
Ballinat e këtyre gazetave, që prej kohësh ishin kritike të ashpra të Erdoganit dhe administratës së tij, botuan të premten fotografitë e presidentit të rrethuar nga bashkëshortja e tij dhe oficerët ushtarakë, gjatë festimeve të ditës së Republikës të enjten.
“Turqia si një zemër e vetme” ishte titulli i ballinës së “Millet”. Ndërkaq me titullin “Sheshi i popullit”, gazeta “Bugun” e hapi ballinën e së premtes, duke aluduar në imazhin e pretenduar të Erdoganit se është “president i popullit”, me gjithë kritikat e opozitës për pallatin e tij të ri me 1.000 dhoma dhe instinkte autoritare.