Analisti Arben Meçe ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se SPAK nuk ka prova të reja për Ballukun si dhe imuniteti nuk e pengon që të vazhdojë hetimin.
Duke iu referuar votimit në Kuvend për imunitetin e Ballukut, Meçe tha se këtë të drejtë Kuvendit ia njeh Kushtetuta.
Sipas tij, Kuvendi në këtë rast ka shfrytëzuar një të drejtë kushtetuese dhe për rrjedhojë nuk ka përplasje institucionale.
“Parlamenti është institucioni jo vetëm ligjvënës por ka edhe disa kompetenca që ia jep Kushtetuta. Nëse ai kapërcen Kushtetutën, me të drejtë themi që ke kapërcyer Kushtetutën. Nëse Kushtetuta i jep të drejtën që të mbajë qëndrim ndaj një kërkese të organeve të drejtësisë. Do ta bëjë, ai e gjykon, i drejtë apo e padrejtë, është reagimi politik. Në këtë rast ai po shfrytëzon një të drejtë kushtetuese që nuk është përplasje. Është një e drejtë kushtetuese. Nuk jemi në përplasje por jemi në atë marrëdhënie që e institucionalizon Kushtetuta”, tha Meçe.
Më tej ai theksoi se imuniteti nuk e pengon SPAK-un që të vijojë hetimet për Ballukun.
“SPAK-u bën kërkesën në Parlament, Parlamenti mban qëndrim. Kushtetuta i thotë miratoje ose mos e miraton. Në këtë moment që flasim ndaj Ballukut, zhvillohen hetime? Zhvillohen hetime sepse vendimi i Parlamentit nuk kishte të bënte me hetime, por kishte të bënte me një masë që ishte masë shtrënguese që ishte masë e sigurisë me arrest që mund të ishte në burg që mund të ishte në shtëpi. Pra, kaloi nga një masë e parë që ishte pezullimi në një masë të dytë që ishte masa e sigurisë me arrest”, nënvizoi më tej Meçe.











