Sonte, në mbrëmjen Gala të FSHF “Më të mirët 2023”, janë të ftuar personazhe shumë të rëndësishme të sportit në vendin tonë. Në fillim mori fjalën Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili u shpreh i bindur se sfidat e futbollit shqiptar do të kalohen. Ndër të tjera, Duka përmendi edhe disa nga projektet e të ardhmes.
Fjala e tij:
I nderuar President i Republikës z. Bajram Begaj,
I nderuar Kryeministër z. Edi Rama, të nderuar Ministra,
I nderuar President i KOKSH, z.Fidel Ylli,
Të nderuar miq që na keni ardhur nga jashtë, Ambasadorit të UEFA, Gianluca Zambrotta,
President i Federatës së Kosovës z. Agim Ademi,
President i Federatës së Maqedonisë së Veriut z. Muamet Sejdini,
Të dashur anëtare të FSHF,
Miq e të ftuar,
Mirëmbrëma e mirë se keni ardhur sonte në këtë natë shumë të rëndësishme festive, falënderuese e vlerësuese të futbollit shqiptar!
Jam vërtet shumë i lumtur që në këtë fund viti takohemi jo si zakonisht, siç jemi mësuar të shihemi e të takohemi me njëri-tjetrin në fusha apo stadiume futbolli, për të luajtur apo sfiduar njëri – tjetrin në 90 minuta apo për të parë një ndeshje. Jemi këtu për të festuar, vlerësuar e falënderuar më të mirët e këtij viti të suksesshëm që po mbyllim. Përbërja e kësaj salle dëshmon pa asnjë diskutim magjinë e lojës sonë, dashurinë për të dhe vlerat e saj bashkuese.
Viti 2023 është një nga vitet më të suksesshëm, mbase më i suksesshmi në historinë e futbollit shqiptar, në të gjitha drejtimet: infrastrukturë, organizim, masivizim, kualitet e rezultate. Unë dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që kanë punuar e kontribuar për këto arritje.
Si fillim të gjithë futbollistët e futbollistet tona: Profesionistë e amatorë – për punën e kontributin e tyre, në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare, për djersën e derdhur e për kënaqësinë e emocionet që na kanë dhuruar. Gjithashtu dhe stafet e tyre Teknike e administrative.
Drejtuesit e klubeve, Akademive e Shoqatave të cilët ia kanë kushtuar jetën futbollit.
Arbitrat të cilët kanë kontribuar e sakrifikuar vërtetë shumë për garat në vend ,por kanë marrë dhe vlerësim kombëtar e ndërkombëtar. Çdo njëri nga ne, nëse jo krenar, ndihet mirë kur sheh çdo javë në kompeticionet europiane emra arbitrash shqiptarë. Sot numërojmë 22 arbitra shqiptarë me stemën e FIFA.
Komitetin Ekzekutiv dhe Administratën e FSHF-së, për të gjithë seriozitetin e treguar dhe projektet e realizuara me sukses gjatë këtij viti për ta çuar futbollin përpara. Ka qenë vërtet një vit i lodhshëm për ju, por për atë që keni arritur, ja ka vlejtur.
Gjatë vitit 2023, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar 13.531 ndeshje futbolli, me një mesatare 722 ndeshje në javë. Janë aktivizuar 20.324 mijë futbollistë, 1990 më shumë se një vit më parë e 1498 zyrtarë: trajnerë, stafe mjekësore, arbitra, delegatë e vëzhgues. Pra 21.822 njerëz janë të përfshirë në lojën tonë, të cilët krijojnë një ekonomi futbolli, që konsumon e kontribuon në ekonominë shqiptare.
2023 ishte edicioni i dytë i projektit “Uniforma IME”, që furnizon pa pagesë me uniformat e lojës çdo njeri që luan futboll, dhe edicioni i shtatë i projektit “Topi YT”. Këto projekte kanë pasur impakt të madh për rritjen e numrit të futbollistëve. Jemi e vetmja federatë në Europe që kemi realizuar këto projekte dhe do t’i vazhdojmë ato, jo thjesht sepse janë një lehtësi e madhe financiare për fëmijët e familjet e tyre, por edhe një mesazh i qartë solidariteti.
Bashkëpunimi me qeverinë ka qenë i niveleve të mira, projekte të përbashkëta janë implementuar me sukses në infrastrukturë e në edukim.
Pas bashkëpunimeve shumë të suksesshme me qeverinë për ndërtimin e stadiumeve në Elbasan, Shkodër, Kukës e Tiranë, këtë vit e nisëm me konkurset e hapura, për përzgjedhjen e projekteve më të mira të stadiumeve apo komplekseve sportive në Korçë, Durrës e Vlorë, të cilët sot janë në proces projektimi e prokurimi final. Uroj të nisë puna sa më shpejt. Gjej rastin të falënderoj qeverinë shqiptare dhe në veçanti kryeministrin, jo vetëm për projektet e reja për stadiumet, por edhe për mbështetjen me fonde financiare për stafin dhe ekipin kombëtar. Dhe besoj se ja ka vlejtur, ky ekip meriton gjithçka.
Një falënderim special për FIFA-n për suportin e dhënë në ndërtimin e kampusit të ri të Kombëtares në “Shtëpinë e Futbollit”, një nga më modernët në Ballkan dhe nga ku nisëm rrugëtimin për EURO 2024. Por jo vetëm kaq, gjatë vizitës së tij në Shqipëri për të inauguruar zyrat e reja të FSHF Presidenti Gianni Infantino i premtoi Ministeres Kushi (të cilën dua ta falënderoj për bashkëpunimin) projektin pilot të Futbollit në Shkolla, I cili u finalizua dhe është aktiv në 116 shkolla të vendit. Ne e mbështesim me bazë materiale e trajnime me lektorë nga FIFA për mësuesit.
Bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e me Ministren e re, Ogertën (të cilën dua ta uroj publikisht për detyrën) jam i bindur që do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë këtë projekt.
Përfaqësimi ynë në organizatën europiane të Futbollit UEFA është si asnjë herë më parë. 20 përfaqësues të futbollit shqiptar janë emëruar në poste e komisionet e zyrtarëve të UEFA.
Vazhdojmë edhe këtë vit bashkëpunimin për projekte masivizimi, infrastrukture dhe edukimi: Projekti “UEFA Playmakers”, ka bashkuar me lojën e futbollit 2175 vajza të vogla të moshës 5-8 vjeçe. Projektet e edukimit, kualifikimit e certifikimit për trajnerë, e stafe Teknike e administrative – Investimi te kapitali njerëzor është një gur themeli i rëndësishëm për të qenë konkurrues.
Nëpërmjet projektit të “100 fushave”, kemi bashkuar fondet e UEFA-s, FSHF-s, individëve, klubeve dhe pushteteve vendore për të ndërtuar fusha të reja në: Vorë, Arbanë për klubin Dinamo, në kompleksin e Kamzës, tre fusha në qarkun e Shkodrës, dy në Radhimë Vlorë dhe disa të tjera në proces.
26 ekipe (Andora, Kosova, Moldavia, Islandë, Luksemburg, France, Letoni, Zvicër, Skoci, Lichtenstein, Ishujt Faroe, Azerbajxhan, Malta, Bjellorusi, Skoci, Serbi, Hungari, Maqedoni e Veriut, Suedi, Danimarkë, Greqi, Belgjike, Republika e Irlandes, Slloveni, Kazakistan, Uells) të rinjsh e të rejash kanë vizituar Shqiperinë në 2023, për të luajtur në 13 kompeticione europiane kualifikuese. Pothuajse gjysma e federatave anëtare të UEFA.
Stadiumet e ndërtuara, organizimi perfekt i turneve kualifikuese, eksperienca e fituar, profesionalizmi i treguar, opinionet pozitive të pjesëmarrësve, por edhe zyrtarëve të UEFA-s bindi KE-në e UEFA-s të na besojë organizimin e kampionatit Europian në vitin 2025 për moshat nën 17 vjec. Në fakt kemi aplikuar me projekte, tani na duhet shumë punë, e shumë mbështetje nga të gjithë që të sjellim në nivelin e kërkuar infrastrukturën, fushat e stërvitjes e mbase dhe ndonjë rrugë aksesi për to.
Faleminderit UEFA, Faleminderit Presidentit Aleksander Ceferin.
Dua ti falenderoj Gianni-n dhe Alex-in edhe për përshendetjen dhe urimin që na kanë përcjellë e që do të transmetohet gjatë kësaj mbrëmje.
Falenderime për të gjithë bashkëpunëtorët që kemi realizuar projektet me përgjegjësi sociale – të cilat kanë qënë në qendër të vëmendjes sonë si çdo vit tjetër. Kemi qënë aktivë e kemi organizuar fushata sensibilizuese për kancerin e gjirit, kemi organizuar mamografinë lëvizëse për kontrollin e kancerit të gjirit për vajzat e përfshira në futboll.
Ekipi i të Amputuarëve, i cili ka pasur suportin e plotë të FSHF për terrenet stërvitore dhe bazën materiale si dhe mbështetjen financiare për pjesëmarrjen në ndeshjet e Nations League për të Amputuarit, që u zhvillua në Skoci. Organizata jo fitimprurëse Faith and Light, organizatë e cila i vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuara intelektuale, është suportuar me bazë materiale në kuadër të turneut KIMATA CUP. Në bashkëpunim me Coca-Cola-n kemi përmirësuar infrakstrukturën futbollstike në fshatin SOS, kemi mbështetur me fonde simbolike për tërmetin vrastar që goditi Turqinë me 6 Shkurt të këtij viti, apo përmbytjet katastrofike në Slloveni gjatë verës që lamë pas.
Në këtë mbrëmje festive sonte dua të falënderoj pa dyshim edhe të gjithë sponsorët tanë: Vodafone, Macron, Sigal, Union Bank, Uji Tepelena, VAS Tour, Infinity Destination, të cilët na kanë besuar për promovimin e biznesit të tyre. Pa dyshim që kemi benefite komeciale të dyanëshme por ajo që fitojmë më shumë është rritja e të interesuarve rreth lojës sonë e bashkimi i energjive për progres.
Tifozët Lojtari i 12 – Faleminderit që nuk mungoni në shkallët e stadiumeve në mbështetje të skuadrave tuaja të zemrës dhe ekipeve kombëtare. Mbështetja për ekipin kombëtare ka qënë si kurrë meë parë brenda dhe jashtë Shqipërie.
Ekipi kombëtar- performanca e tij, golat e bukur, (nga më të bukurit në Europë) rezultatet fantastike kundër Polonisë e Republikës Ceke në “Air Albania”, e finalizimi me kualifikim nga vendi i parë i grupit ka qenë ngjarja më e bukur e vitit, madje e historisë sonë.
Çdo ditë që kalon, aq më shumë e ndjej suksesin e Kombëtares, dhe aq më shumë i jam falënderues futbollistëve, Sylvios, Dorit, Zabaletes, Bulkut, Salihit, Bozhiqit, e gjithë stafit teknik e administrativ. Për atë që na kanë dhuruar. Për krenarinë që na kanë dhënë.
Ne jemi një vend relativisht i vogël, por një komb i madh dhe unë jam fort i bindur se kjo skuadër i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm.
Tani jemi në pritje e e përgatitje të Europianit. Dhe thirrja ime për lojtarët e stafin është: Shijojeni suksesin tuaj, shijojeni europianin, bëni atë që keni bërë në Eliminatore dhe jam i bindur që do të na bëni më shumë krenare. Por sido që të shkoje ne jemi në shërbimin tuaj, ne jemi JU.
Të nderuar zotërinj, kryesisht Kryeministër, përfaqësues të qeverisë e parlamentit të vendit
që jeni sonte të pranishëm në këtë Mbrëmje Gala për kampionët tanë, për Kombëtaren tonë, për futbollin tonë. Vërtet kemi bërë hapa përpara por akoma më shumë mund të bëjmë. Akoma më shumë mund të bëjmë progres./m.j