Sali Berisha përmes një postimi në rrjetet sociale ka shkruar se ‘në emër të Partisë Demokratike’ përshëndet nisjen në Shqipëri të stërvitjes së madhe ushtarake të forcave të NATO-s të udhëhequr nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Berisha i cili është shpallur ‘non grata’ nga dy prej vendeve më të mëdha të aleancës së Atlantikut Verior, Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, thotë se kjo stërvitje është një mesazh i fortë që i dërgohet Rusisë dhe ambicieve ekspansioniste.
“Partia Demokratike e Shqipërisë përshëndet fillimin e manovrave të mëdha të NATO-s Defender Europe ‘23 në Shqipëri. Këto manovra janë të një rëndësie të madhe për Shqipërinë dhe sigurinë e saj, por edhe për paqen dhe sigurinë në Euroje. Këto manovra së bashku me manovrat e NATO-s që po zhvillohen në Kosovë janë një mesazh i fuqishëm që Aleanca e Atlantikut të Veriut i dërgon agresorit rus për përpjekjet e tij për destabilizimin e rajonit dhe ambiciet e tij ekspansioniste. Partia Demokratikë si forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, mbështet plotësisht garantimin e të gjitha lehtësirave në territorin tokësor, ujor dhe ajror të Shqipërisë që i nevojiten Aleancës për përmbushjen e misionit të mbrojtjes së paqes dhe sigurisë në hapësirën euroatlantike”, ka postuar Berisha në Facebook-un e tij.
Berisha e bën këtë reagim në emër të Partisë Demokratike në krye të së cilës në fakt bota euroatlantike nuk e njeh. Madje në PD e konsiderojnë Berishën si politikanin që kërkoj të ndryshojë orientimin perëndimor të saj.
Stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” nisi diten e djeshme ne Shqiperi ndërsa solli në vendin tonë 24 mijë trupa të NATO-s dhe SHBA-së që deri më datën 22 qershor do të kryejnë stërvitje ushtarake në vendin tonë. Nisja e kësaj stërvitjeje u kremtua me një ceremoni të veçantë në sheshin ‘Nënë Tereza’, ku u ekspozuan mjete ushtarake, e ndërsa të pranishëm ishin Presidenti Barjam Begaj, kryeministri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kim, ministri Niko Peleshi. Këtë stërvitje kryeministri Edi Rama e cilësoi si një pikë kulmore për vendin tonë në arenën ndërkombëtare./m.j