Jo se janë “dembelë”, por shumë të rinj e kanë të vështirë kapërcimin nga universiteti drejt tregut të punës. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, 14.2% e të rinjve në Shqipëri ishin të papunë në tremujorin e fundit të vitit nga 12.8% që ishte gjatë sezonit veror.
“Papunësia tek të rinjtë vazhdon të ndjekë një trend të lartë. Pavarësisht luhatjeve që ka në baza tremujore, ajo mbetet problematike dhe lidhet me një sërë faktorësh. Ndër më kryesorët është kapërcimi nga universiteti drejt tregut të punës, ku për shumë të rinj mundësitë janë ende të kufizuara.” Kloinda Vjerdha, ekspert për punësimin.
Përpos kësaj vjen edhe efekti i mosdeklarimit të pagës për shumë të rinj që punojnë. Sipas të dhënave nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, nga rreth 10 mijë subjekte të inspektuara, private dhe shtetërore, janë evidentuar 2600 punonjës informalë.
“Ka shumë të rinj që detyrohen të punojnë të padeklaruar në biznese të ndryshme, për shkak të mosdëshirës së këtyre bizneseve për t’i deklaruar ata. Kjo është në kundërshtim me ligjin, por nga ana tjetër të rinjtë shpesh detyrohen ta pranojnë këtë situatë për të marrë eksperiencën e parë të punës.”
Një fakt interesant është se, sipas INSTAT, në periudhën tetor–dhjetor të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë për femrat ka rënë, ndërsa për meshkujt ka shënuar rritje.











