Altin Isaraj, vëllai i ish-deputetit te PS, dhe ish-drejtorit të Transportit Rrugor, Arben Isaraj, u gjet i pajetë pak ditë më parë në banesën e prindërve të tij, pasi aty jetonte që kur doli nga burgu i Rrogozhinës.
“Më datë 29.12.2024, në rrugën “Çamëria”, në ambientet e banesës, është gjetur pa shenja jete, shtetasi A.I, 53 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale”, njoftoi policia.
Altin Isaraj u arrestua nga policia më 22 tetor 2018 për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prodhim dhe shitje të narkotikëve’.
Pas arrestimit të vëllait nga Policia e Shtetit, në atë kohe dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Trasnportit Rrugor edhe Arben Isaraj.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ish-deputeti i PS i ka dhënë lamtumirën e fundit vëllait të tij.
“Lamtumirë Altin!
Sot, sipas asaj që doje dhe kërkove ti, po të përcjellim pranë nënës dhe babait.
Shumë motra dhe vëllezër, shokë dhe miq që ti i kishe pafund, do të donin të ishin pranë teje në këtë ditë për të të prekur me dorë, sy edhe lot.
Por, unë duke i mirëkuptuar dhe i falënderuar, duhet të vendosja atë që doje ti, sepse unë pas ikjes së prindërve, mbeta i vetmi në këtë botë që të preka, të putha dhe përqafova kur “erdhe” dhe “ike” prej saj.
Lamtumirë Altin!
Lamtumirë “o Labo”, i miri i të gjithëve dhe i keqi i vetes nga lindja deri në vdekje.
Lamtumirë vëlla!
Lamtumirë o gjak që të kam në venat dhe zemrën time.
Më prit aty me Astritin dhe Violetën, se do të vij… dhe mos ma mbyll atë derë vëlla”, shkruan Arben Isaraj.