Nga Lorenc Vangjeli
Brenda partisë së tij dhe publikisht, të gjithë e quajnë Ramën artist për shkak të profesionit të tij si piktor. Në një vend normal, qoftë dhe në Italinë, Spanjën apo Holandën e Mesjetës, pakkush do të kujtonte se kush i porosiste pikturat e Da Vinçit, Mikelanxhelos apo Gojës, por këta tre piktorë i njeh kushdo. Në Tiranë, Rama natyrisht që është larg gjenisë së tyre, ndaj edhe pse mbiemri piktor do ta ndjekë pas si ndërgjegja e vrarë murgun e falur, ai do të kujtohet më së shumti si kryeministër i vendit.
Që nga krijimi i shtetit shqiptar një qind e ca vjet të shkuar, këtë titull e kanë mbajtur vetëm rreth 50 e ca burra dhe duke e qenë i rrallë, ky titull bëhet edhe më i vyer. Kritikët e tij, duke nisur me kryekritikun Doktor Berishën, këtë punën e ngjyrave ja quajnë për goxha mëkat. Sepse sipas tyre duke pikturuar dhe duke hapur ekspozita nëpër botë, ai bën me kohë të pjessshme punën e kryeministrit. Ose siç i thonë në gjuhë të jashtme, part time. Dhe në fakt, si në të gjitha gënjeshtrat e mëdha, edhe këtu ka një thelb të së vërtetës: puna e kryeministrit në një vend si Shqipëria nuk ka gjëkundi cep të lirë për t’u arratisur në talente e pasione të vjetra.
Brenda partisë së tij dhe publikisht, pothuaj të gjithë e kritikojnë Blushin sepse bën me kohë të pjessshme politikanin. Se ai herë pas here bën kurban politikën për letërsinë duke e zgjedhur atë përballë qymyrit të pafundëm që prodhon miniera politike në Tiranë. Blushin e akuzojnë se e ka bërë këtë gjë edhe në tetë vjetët e gjatë të socialistëve në opozitë dhe po e bën këtë gjë edhe tani në dy vjetët e gjysëm të PS-LSI-së në pushtet. Dhe ja quajnë për mëkat të madh që merret me libra. Dhe në fakt, si në të gjitha gënjeshtrat e mëdha, edhe këtu ka një thelb të së vërtetës: në një vend si Shqipëria të merresh me libra është humbje kohe, të çosh në parlament çdo javë nga një kostum të ri, të merresh me çdo punë tjetër (biznes privat, shkollë të mesme part time për diplomën e munguar të pjekurisë, palestër, muhabete kafenesh) është një gjë normale. Sepse Shqipëria është një vend anormal si rregull, i krahasuar me ato që në gjuhë të jashtme i quajnë “standarte evropiane”.
Anormale janë dhe arsyet se pse Blushi vetë me zë dhe të tjerët në heshtje, shpjegojnë se pse ai kërkon të garojë për postin e kryetarit të PS-së, lexo, zyrën e kryeministrit brenda gjysmës së parë të mandatit. “Di ta bëj më mirë se Rama”, është shumë e përgjithshme dhe natyrisht një pretendim i pamatshëm. Aq më pak akoma është anormale çfarë lihet të kuptohet si një e drejtë e munguar që dy ish-miqtë kanë bërë një dikur një pakt zotërinjësh: njëhërë njëri e pastaj tjetrit, do të ishin mbi PS-në. Se Blushi e bëri i pari, Rama refuzon ta bëjë i dyti.
Në mes të Ramës dhe Blushit, ka hyrë dhe botuesi kontravers Nikoll Lesi. Ish-mik i të parit dhe ish-punëdhënës i të dytit, Lesi ka zgjedhur të provokojë dhe të bëjë diversion të plotë, nëse kjo është fjala e duhur që ka peshën për të përshkruar editorialin e tij pa emër në Koha Jonë. Lesi, që provokimin politik e gazetaresk e bën me kohë të plotë, përmend zëvendëskryeministrin Peleshi dhe ministrat Tahiri, Bushati, Ahmetaj e Gjiknuri si miq të Blushit. Një akt që në mos tek personazhet e përfshirë në histori, tek publiku dhe socialistët e thjeshtë krijon goxha paqartësi. Por dhe ky muhabeti i transparencës, është një histori part time në Tiranë.
Rreth 15 vjet më parë, në Pezë ish-kryetari socialist Fatos Nano nisi lëvizjen e tij të njohur si Katarsis. Një lëvizje që kulmoi në dhjetor me KPD-në famshme dhe që rrëzoi qeverinë e Ilir Metës që sapo kishte fituar mandatin e dytë për të majtën në Shqipëri. Rama e Blushi atëherë, kush më dukshëm dhe kush më në prapaskenë, kanë pasur rol të rëndësishëm në atë që ndodhi dhe në gjithë dinamikën e lëvizjeve të nëndheshme për pushtet dhe për hir të pushtetit brenda PS-së. Sot në të njëjtën kohë që Rama bën antarësime të reja publike në PS, Blushi si Nano dikur, niset në bazë (një fjalë që në të majtë e kanë qejf pafund kur ka siklete statuti) për të sulmuar kryeministrin. Fatos Nano ende nuk ndjehet, por si për ironi të fatit, një tjetër protagonist i lojës së 15 vjetëve më parë, Meta, sot kërkon konsensus për Byronë Kombëtare të Hetimit.
15 vjet më parë Berisha do të thoshte fjalinë lapidare në parlament: “U kam thënë të mijve, ne dhe me djallin do të bëhemi kundër Ilir Metës”. Në atë kohë, Doktorin e çonte instikti i tij i pakrahasueshëm politik në bindjen se e vetmja rrugë për të sjellë partinë e tij në pushtet ishte ndarja e të majtës. Dhe ai erdhi në pushtet vetëm falë këtij mekanizmi. Sot Basha që gjithashtu e di se çdo ndarje në PS është në dobi të tij, e ka të vështirë të hyjë në një ambient të cilin e njeh vetëm nga ekrani. Një ambient me të cilin vetë socialistët kanë një ngut të çuditshëm ta trajtojnë si një mall të trashëguar dhe jo të fituar: çfarë trashëgohet trajtohet shpesh pa mend! Sepse politika shihet si një lojë part time, si një takim njëherë në javë në të enjten e Doktorit në Parlament dhe gjithë pjesën tjetër të kohës, shumëkush mund të bëjë me kohë të plotë biznesin privat, shkollë të mesme part time për të marrë diplomën e munguar të pjekurisë, palestër, muhabete kafenesh, zgjatje flokësh dhe gargarë thashethemesh për reformën në drejtësi, për byronë kombëtare të hetimit, për kush shkon me kë dhe sa kushtojnë sutjenat e Çiljetës për të cilat u shpall ankand publik tek Ermal Mamaqi. Kryeministri Rama shkëlqen me një replikë-batutë me këngëtaren: Thotë se Çiljeta pa bust është si PD pa Berishën. Me siguri që tani është rradha e Çiljetës që të mendohet me kohë të plotë e të kthejë përgjigje.
P.S., Post Scriptum si i latinëve të djeshëm dhe jo si Partia Socialiste e sotme: “Si shkruhet fjala “Salçiçe”? Me “Q” si “Qeni” apo me “Q” si “Qekiqi”? Me “Q” si “Qekiqi”. Dakort: “Salqiqeeeeee”!