Homazhe ne France, pasi nje ekstremist mysliman i preu koken mesuesit Samuel Paty
Nga Ervin Qafmolla
Papa Françesku u shfaq javën që shkoi duke thënë se çiftet e së njëjtës gjini duhet të kishin të drejtën e një “bashkimi civil”. “Ata janë fëmijët e Zotit dhe kanë të drejtë të kenë familje”, tha ai në një dokumentar. Këto nuk janë sinjalet e para që Papa ka dhënë mbi një qasje më paqtuese të Kishës Katolike ndaj homoseksualëve. Paradoksalisht, qëndrimet e shprehura të katolikëve të ndryshëm në këtë cep të Ballkanit si dhe në vende të tjera të botës, kanë qëndruar në kundërshti të paepur ndaj çdo lloj bashkimi ligjor-konjugal të personave të komunitetit LGBTQI. Nuk kanë munguar as katolikët e “devotshëm” në Perëndim që mbrujnë mllef ndaj refugjatëve dhe ndaj myslimanëve, edhe pasi Papa lau këmbët e refugjatëve myslimanë në vitin 2016.
Pavarësisht këtyre reformave ndaj refugjatëve, të divorcuarve, të dobëtëve, si dhe kundër klerikëve pedofilë, kundër qëndrimeve ekstremiste dhe kundër kapitalizmit toksik, një pjesë e madhe e liberalëve kanë mbajtur qëndrime, në rastin më të mirë shpërfillëse dhe zakonisht përbuzëse ndaj Papa Françeskut, klerit dhe vetë religjionit, duke përmendur traditën konservatore, shumëshekullore katolike. Myslimanë të shumtë kanë vazhduar të përtypin mëritë e vjetra duke përmendur kryqëzatat e shekujve të shkuar apo përvojat më të afërta diskriminuese nga ata që identifikohen si të krishterë.
Roma nuk u ndërtua në një ditë, sikurse persekutimet historike nuk mund të përmbysen brenda më pak se një dekade përpjekjesh. Instinktet e rrënjosura shoqërore dhe ideologjitë e paketuara në ambalazhe joelastike mund të jenë disa prej arsyeve të tjera të mospajtimeve – intoleranca universale ndër to.
Vite më parë në Romë, një kapelan universitar francez më tregonte sesi nxënësit katolikë vinin fshehtas për t’u rrëfyer dhe përvidheshin me kujdes që të mos i pikaste njeri kur shkonin për në meshë. “Ndoshta edhe prej historisë sonë, në Francë ekziston një paragjykim agresiv ndaj atyre që besojnë; ata që praktikojnë besimin përtallen dhe diskriminohen nga të tjerët. Këta të fundit janë po ata që predikojnë barazi dhe betohen kundër çdo paragjykimi, por që sa hap e mbyll sytë diskriminojnë ata që nuk mendojnë njësoj”. Kur e pyeta se çfarë ndodhte me religjionet e tjera, ai tundi kokën: “Myslimanët e kanë më pisk se ne”.
Franca u bë pjesë e titujve në të gjithë botën, kur në vitin 2016, policia detyroi një grua me “burkini” që të zhvishej në një plazh, sipas rregullave të vendosura nga një sërë bashkish franceze, me arsyetimin se mbajtja e kësaj mbulese shkelte sekularizmin shtetëror (laïcité). Por i njëjti trajtim nuk u rezervohej edhe murgeshave që gjithashtu shkonin në plazh dhe laheshin në det duke mbajtur tesha që u mbulonin trupin dhe kokën. Sekularizmi i fronësuar zgjidhte t’i mbyllte sytë në raste të tilla, ndërsa drejtësia laike nuk ishte bash e verbër.
Një vit para shtrëngimit të darës së ligjit mbi notaret me ferexhe, Franca dhe mbarë opinioni botëror ishte tronditur nga sulmet e armatosura ndaj redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, kur dy vëllezër terroristë islamistë shkaktuan 12 të vrarë dhe 11 të plagosur. Arsyeja e kësaj masakre tashmë dihet; ishte publikimi i karikaturave të Profetit Muhamed nga kjo revistë. Javën që shkoi dhe pesë vjet nga tragjedia, një 18 vjeçar çeçen i preu kokën mësuesit francez Samuel Paty, i cili u kishte treguar nxënësve karikatura të Profetit Muhamed. Nxënës dhe prindër myslimanë janë në mesin e atyre që po hetohen për këtë makabritet, teksa ngjarja ka thelluar edhe më tej ndasitë sekulare dhe fetare në Francë.
Prerjet e kokave në emër të Muhamedit
Sulmet terroriste për shkak të efigjive të Muhamedit dhe në mbrojtje të figurës së tij, janë diçka interesante nëse gjykohen brenda vetë parimeve të Islamit dhe traditës profetike. Pjesa dërrmuese e klerikëve myslimanë i kanë dënuar akte të tilla, duke i konsideruar kundërfetare dhe kriminale. Jetëshkruesit e Muhamedit kanë trashëguar raste kur ai i ka penguar ndjekësit e tij që të sulmonin apo të konfrontonin persona që e përtallnin atë sa ishte gjallë. Por çështja e figuratizimit të tij është një diskutim i mëvetshëm. Në mënyrë të përsëritur, Muhamedi ka lënë trashëgimi mes urdhrash të përsëritur që të mos lejohet figuratizimi i tij në asnjë formë, ngaqë druhej se mos me të ndodhte “si me Isain, birin e Merjemes” (Jezusin e Maries), të cilin e shndërruan në hyjni dhe e adhuruan si Zot.
Si rrjedhojë dhe me pak përjashtime, Islami paraqitet ikonoklast. Ndalimi i figuratizimit ka shkuar përtej rastit individual të themeluesit të këtij religjioni duke përfshirë edhe njerëzit e tjerë. Kjo manifestohet edhe në artin islamik, ku në vend të shfaqjes së formës njerëzore dhe idealizimit përmes trajtave, disiplinave dhe rrymave të ndryshme artistike, lulëzoi një bujari e artit floral, një kremtim i gjeometrisë dhe një harlisje e kaligrafisë. Ikonoklastizmi nuk është ekskluzivitet i Islamit. Ai haset edhe në religjione të tjera në botë. Atë e gjejmë që nga disa prej patriarkëve Zen dhe deri te disa ndër të krishterët. Por te Islami, kjo censurë përmban një domethënie të veçantë duke u sanksionuar në mënyrë eksplicite nga profeti i myslimanëve.
Është interesante sesi në një rast specifik, Muhamedi ka këshilluar që nëse gjenin një figuratizim të tij, duhet ta hidhnin në vendin më të ndyrë që arrinin të gjenin. Qartazi dhe në mënyrë të faktuar, imazhi i profetit ndalohet për të shmangur hyjnizimin e tij dhe jo për ndonjë arsye respekti ekleziast apo venerimi të fshehtë. Madje, këto të fundit, apo më keq, aktet e terrorit në emër të tyre nga myslimanët, shkojnë kundër vetë ndalimeve dhe mësimeve përkatëse të Profetit të Islamit.
Belaja e tjetrit troket në derën tënde
Gjatë dekadave të fundit, interpretimet ekstremiste të religjionit, ndonëse familjare edhe për besimet e tjera, kanë qenë veçanërisht të pranishme brenda “Shëpisë së Islamit”. Shtypja sistematike përmes kolonializmit modern është një vetëm një prej arsyeve më të artikuluara që i kanë dhënë stimul dhe “legjitimitet” ideologjive ekstremiste dhe ngritjes së organizuar të terrorizmit botëror islamist. I ashtuquajturi Shtet islamik, i cili pushtoi territore të tëra në Siri dhe Irak, pradoksalisht vrau dhe shtypi më së shumti myslimanët e këtyre vendeve.
Në Ballkan, Kosova e vogël regjistroi më shumë se 400 qytetarë të saj që iu bashkuan radhëve të ISIS-it dhe më vonë, burgosi – shpesh me prova të diskutueshme dhe përmes procedurave të dyshimta – shumicën e atyre që u kthyen në vendlindje. Ky numër i lartë i “luftëtarëve të huaj” u interpretua nga komuniteti i ekspertëve me arsye që shkonin përtej indoktrinimit religjioz, duke përfshirë një sërë faktorësh shoqërorë dhe krizash identitare. Keqqeverisja dhe korrupsioni ishin pjesë e formulës fatale. Kjo situatë kontribuoi edhe në thellimin e ndasive shoqërore dhe bindjeve konfliktuese brenda shoqërisë kosovare. U manifestua rritje e gjuhës së urrejtjes, islamofobisë, përndjekjes dhe intimidimit disakahësh.
Disa konservatorë u bënë edhe më të ashpër, madje më ekstremistë, ndërsa pati prej atyre “liberalëve” që u thelluan në një konservatorizëm paradoksal brenda bindjeve të tyre. Sot, ka rrjedhur mjaft ujë poshtë urës sa ta bëjë syprinën të duket e qetë. Por rrymat kërcënuese të përçarjes rrjedhin të fshehta përposh. Mjafton një veprim i pamatur, një rrëmbim i çastit, për të rikthyer në këtë botë fantazmat e trazimeve të dikurshme. Intoleranca, anipse e fjetur, nuk ka vdekur.
Kur Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ndau në Twitter postimin e një gazetareje të së përditshmes franceze, “Le Figaro”, në të cilën shfaqen karikatura të Profetit Muhamed, reagimet në Kosovë shënuan krisje të reja. Bashkësitë fetare dhe besimtarë myslimanë reaguan të tronditur apo të ofenduar. Nuk munguan as fyerjet personale ndaj Gashit, përfshi fjalë të ndyra. Të tjerë u përgjigjen duke postuar figuratizime edhe më nënçmuese të Muhamedit. Në disa raste, përdorues të tillë në rrjete sociale nuk i bënin referencë as lirisë së shprehjes apo parimeve të ngjashme.
Fakt: Gashi është ambasador i një vendi ku pjesa dërrmuese e qytetarëve identifikohen si myslimanë. Në censusin e vitit 2011, të bojkotuar nga shumica e pakicës serbe, mbi 95 përqind u vetëdeklaruan të tillë. Vrojtime të tjera e kanë vendosur këtë përkatësi vetëm pak më poshtë se 90 përqind. Ndaj, shpërndarja e pakushtëzuar e një postimi që ka gjasa të fyejë shumicën e popullit që ai përfaqëson, pavarësisht motiveve dhe vlerave të hamendësuara, klasifikohet në rastin më të mirë, si një gjest jodiplomatik nga Gashi. Një ambasador duhet të dijë më mirë.
Edhe ata kosovarë që identifikohen si më të çliruarit ndër më mendjehapurit, por nga ana tjetër, nuk e lanë rastin t’u shpëtonte pa rizgjuar gjakimet e urrejtjes dhe përçarjes, duhet të përfitojnë nga rasti për të reflektuar mbi moralin e tyre dhe sinqeritetin (apo hipokrizinë) e këtyre veprimeve përkundër asaj që ata predikojnë. Përpjekja për të drejta dhe trajtim të barabartë, për të asgjësuar diskriminimin dhe për të kultivuar një mjedis mirëkuptimi dhe tolerance të ndërsjellë, nuk mund të ndërtohet përmes poshtërimit të tjetrit, që me vetëdije apo jo, identifikohet ndryshe (dhe i përket shumicës). Një qasje e ngjashme vlen edhe për myslimanët. Lutjet dhe krenimet për vetëmohim dhe sakrificë në kohë të qeta nuk vlejnë asgjë nëse nuk materializohen në ditët e vështira. Në fund të fundit, ndonëse jemi të gjithë të ndryshëm, sinqeriteti apo hipokrizia jonë testohen njësoj. Kjo është përfundimtare.
“A Brave New World”
Jetojmë në kohë të çuditshme, teksa njerëzimi rreket të kuptojë dhe kumtojë arsye që përligjin ekzistencën e tij. Sot kemi një Papë Liberal (aq liberal sa mund të jetë një Papë i Vatikanit), sikundër kemi liberalë që janë ndryrë brenda zemrave të tyre konservatore. Kemi presidentë sociopatë në Perëndim dhe kryeministra mafiozë në Lindje. Kemi diktatorë që përloten para popullit të shtypur, por dhe të shtypur që vajtojnë ngaqë duan të bëhen diktatorë. Kemi plot profetë të rremë dhe hipokritë të maskuar si Mesia! Dhe kur njerëzimi ka qenë ndryshe? Kanë ndryshuar rrethanat dhe teknologjia, por jo historia.
Krisjet e sotme janë jehona të çarjeve më të mëdha dhe përsëritëse që po shfaqen në shoqëritë kudo në botë. Një rizgjim i populizmit dhe armiqësive artificiale nga të gjitha krahët po pompohet me steroidët e komunikimit strategjik, dezinformimit dhe ideologjive fast-food të rrjeteve sociale, nga SHBA-të dhe deri në Europë. “Ose e shet produktin, ose je ti je produkti”, marketierët thonë me arrogancë duke ia shitur mjeshtërinë e tyre ofruesit më të parë.
Ne ballkanasit nuk jemi imunë ndaj deformimeve të tilla. Por historia jonë e afërt dhe vuajtjet e ngjashme, duhet të na shërbejmë që të dimë më shumë se kaq, të jemi më të mirë se kaq. Dhe kjo nuk është thjesht një batutë e volitshme, përmbyllëse e këtij shënimi. Rreket të paraqitet si diçka më faktuale. Pa u zotuar për këdo dhe çdo rrethanë, ky autor u qëndron disa prej rrethanave më lart të cilat i ka jetuar. Për të tjerët le të jetë ky një ushtrim empatie.