Nga Besnik Bakiu
U bë disa ditë që në shkollën “Fan Noli” në Tiranë ka nxënës që mungojnë. Mungon Martini që ndërroi jetë në mënyrën më mizore dhe të pamerituar, shoku i tij i plagosur në spital, mungon autori i krimit makabër, mungojnë dhe shumë të tjerë që ishin prezentë në ngjarjen shokuese. Mungesa ka edhe në shkollat e tjera, pasi prindërit e lemeritur refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkolla nga presioni i kësaj ngjarje. Shteti formalisht (si gjithmonë) pretendon se i ka kryer të gjithë detyrat. Ai ka miratuar ligje, kode VKM, strategji, udhëzime, agjenda e plot si këto.
Po citoj disa nga këto akte: Kodi i Drejtësisë për të Mitur, Ligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, Kodi i Familjes, Ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, Ligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, Agjenda Kombëtare për të Drejtat Fëmijëve, etj.. Shteti ka ngritur edhe strukturat për mbrojtjen e fëmijëve, si: Këshillin Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, me struktura në nivel qendrore vendor, grupet teknike ndërsektoriale pranë çdo bashkie dhe çdo njësie administrative bashkiake, Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijëve, etj.. Në shkolla janë ngritur shumë struktura, duke filluar nga drejtoria, këshilli pedagogjik, i prindërve, psikologët, deri tek oficerët e sigurisë.
Duke parë gjithë këto akte e struktura dhe situatën reale, më vjen ndërmend debati i vjetër vjehërr e nuse, kur kjo e fundit sapo kishte hyrë në shtëpinë e burrit: “Kur të shohë më sy – them lumja unë për ty, kur të shohë si sillesh e punon – them mjera unë për ty”. Para tragjedive të tilla ulëritëse nuk mund të justifikohemi me faktin e shumë përdorur këto kohë, se ngjarje të tilla nuk janë fenomen vetëm problem shqiptar, por global, pasi sipas OBSH mbi 10.000 të rinj në Evropë mes moshës 15-29 vjeç humbin jetën çdo vit nga dhuna e përdorimit të armëve të ftohta. Në Angli, krimet me thikë mes moshave 13-19 vjeç, çdo vit kalojnë 280, shifër. Në SHBA për vitin 2023, numri të vrasjeve me thikë kapin shifrën prej 119.892 personash, ku adoleshentët përbëjnë absolutisht grupin më të madh të këtyre viktimave. Sipas meje, (dhe jo vetëm) ne jemi një shoqëri në krizë. Në një krizë të thellë morale, pasi i ndershmi quhet i pazoti, kurse krimineli quhet njeri i zot.
Kriminelin paraja e bën të bukur e të ditur, e bën edhe deputet, kryetar bashkie e shtetar të lartë. Kjo situatë, ku pothuajse gjithmonë fiton jo i drejti, por i “forti”, ka ulur në minimum vetëvlerësimin e individit dhe të shoqërisë sonë, sa për fat të keq kemi filluar të besojmë se e meritojmë këtë mënyrë jetese dhe nuk aspirojmë më tepër se mbijetesa. Çdo ditë humbasim nga vlerat tona qytetare dhe kulturore, e nënvlerësojmë vetëdijen dhe sjelljen qytetare dhe përgjegjësinë shoqërore. Shqiptari i ndershëm (megjithëse është shumicë dërmuese). Ai që ngrihet pa gdhirë për të për të shkuar në punën e përditshme, ndihet dhe është i pavlerësuar. Kjo shumica lufton për mbijetesë, nuk flet, nuk bërtet, nuk mallkon.
Ajo pret Perëndinë ta bëjë më mirë. Shumë trishtim, ka pasur të drejtë Platoni, kur thoshte: “Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë”. Kjo tragjedi e rëndë nuk ishte rrufe në qiell të pastër, por ishte e paralajmëruar. Ajo na apelon të reflektojmë thellë. Të gjejmë edhe “Kush është fajtori?”. Të gjithë jemi fajtorë. Siç do të akuzonte edhe Migjeni “Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në nji shesh! Dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka më shumë merita për kët vend! Po ndoj ministrit o deputeti, o ndokujt tjetër…..”.
E vramë të gjithë ne atë fëmijë, në atë shkollë. Edhe fëmijës tjetër, që përdori thikën, ia shkatërruam ne jetën, të ardhmen, e vramë për së gjalli. Një nga këta fajtorë, jam edhe unë. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova, kur “baballarët e kombit”, të zgjedhurit tanë në parlament e këshillat bashkiak, kacafyten, shahen e përbalten mes vedi, si armiq për vdekje të deklaruar dhe përbetuar. Kuvendi, Këshillat Bashkiakë dhe partitë janë pasqyra më e qartë ku shihet se si aleatët, shokët dhe miqtë e djeshëm mund të shpallen hasëm dhe anasjellas, se si dashuria kthehet në urrejtje e dhunë jo për bindje, as për ideologji, as për politikë, as për alternativa, por për interesa vetjake, të çastit. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova, kur dëgjova se u blenë votën, duke ju detyruar të shisni shpirtin në një pazar të turpshëm, e të pakthyeshëm. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova, kur si rrallë kush në Europë, rezultati i zgjedhjeve del pas disa javësh, përmes një kalvari të gjatë numërimi dhe rinumërimi dhe në fund palët nuk njohin atë. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur parlamenti dhe bashkitë u kthyen në lëndë e parë për SPAK-un.
Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur hapësirat dhe sheshet e lojërave para pallateve, hapësirat e rrugëve të lagjes ku luanin fëmijët, u grabitën dhe u betonizuan me ndërtime. Kjo bëri që prindërit u detyruan të nxjerrin kafeneve fëmijët e vegjël dhe për të mos i bezdisur, tek rrëkëllejnë kafen dhe alkoolin i japin në dorë një celular. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur pashë prindër që nuk prindërojnë, megjithëse për t’u dukur të kulturuar recitonin shumë bukur vargjet e Naim Frashërit për fëmijët: “Falu gjithë mirësitë/Të rrojën me nder në jetë/të mësojnë dituritë/Të bëhen të vërtete/Të nderojnë mëmëdhënë/Vlerat t’ia lartësojnë/Mbi gjithë boten ta ngrenë/Si lule ta zbukurojnë”! Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova/denoncova kur dëgjova komshiun duke i ulëritur gruas dhe fëmijëve. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova për lokalet e mbushura plot me vajza e djem të rinj ndërsa libraritë janë bosh. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur turli horrash promovojnë këngët e tyre me dhunë e krim, të cilat bëhen edhe hit. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur dëgjova se në universitete paguheshin lekë për të marrë provimin, madje edhe për t’u diplomuar si mësues.
Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur shihja dhe dëgjoja qindra orë televizive, që i kushtohen dhunës, krimit, vrasjeve dhe asnjë orë mendjes dhe vizionit; kur kronikat e lajmeve na helmojnë shpirtrat dhe mendjet tona, pasi flasin veç për vrasje, dhunime, krime. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova për rrjetet sociale, që janë kthyer në hapësira llumi, agresiviteti, urrejtje e krimi. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova për fëmijët që mallkojnë prindërit e tyre, se nuk janë mafiozë, se nuk u bënë të pasur, pavarësisht rrugës që mund të ndiqnin. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur u mbyllën teatrot, kinematë, bibliotekat dhe libraritë. Unë ndihem fajtor, se heshta dhe nuk reagova kur pashë që nuk po ngjizej në shoqërinë shqiptare porosia e Shenjtores Nënë Terezë për fëmijët: “Fëmijët janë si zogjtë: ju doni t’i mësoni të fluturojnë, por ata nuk do të fluturojnë me flatrat tuaja. Doni t’i mësoni të ëndërrojnë, por ata nuk do të ëndërrojnë ëndrrën tuaj.
Prindërit duhet të jenë të besueshëm, jo të përsosur. Fëmijët të jenë të lumtur, jo të na bëjnë të lumtur. Çfarë mund të bësh për të siguruar paqen botërore? Shko në shtëpi e duaje familjen tënde”! Unë ndihem fajtor, se heshta dhe u bashkova me “vullnetet e ndrydhuna dhe shtypuna” ndaj padrejtësive dhe përhapjes së “kulturës së krimit”, që dinë vetëm të heshtnin ndaj përdorimit të dhunës si mjet “legal” për të “larë hesape”, apo për t’i “zgjidhur” problemet dhe mosmarrëveshjet e natyrshme individuale. Miqtë e mi, kjo tragjedi (që nuk është e vetmja) na tregon se nuk është e mjaftueshme vetëm të fajësojmë individë, familje, shkollë, apo raste të veçanta. Ajo kërkon një rishikim të gjithanshëm të sistemit tonë edukativ dhe social. “Dhe vë pikën këtu/Tani më flisni për borxhet që më keni ju”, – apelon poeti dhe miku im, Xhevahir Spahiu. Në përfundim dua t’i kërkoj përunjësisht falje Martinit, engjëllit të pafajshëm që na shikon nga lart, për të gjitha ato që kisha mundësi dhe detyrë t’i bëja dhe nuk i bëra.