Sinjali më i fortë i izolimit personal të Berishës, kështu e kanë lexuar një pjesë e mirë e shqiptarëve, faktin që eurodeputetët që vizituan Tiranën një javë më parë, nuk e takuan kreun e PD, Sali Berisha.
Në sondazhin “Zëri i shqiptarëve”, 50.3% e të anketuarëve mendojnë se ky është sinjali më i fortë i izolimit personal të Berishës. Ndërsa 14.3 % të tjerë thonë se është sinjali më i fortë i izolimit të Berishës por edhe Partisë Demokratike.
Ndërkohë 35.4% të tjerë e shohin si sinjal se Shqipëria po ecën drejt Europës.
Kampioni i sondazhit për këtë të hënë janë 1153 banorë të rritur të vendit. Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.
Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike, ndërsa maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: +/- 2.8%.










