Mbyllja e negociatave për anëtarësimin në vitin 2027, nuk është një premtim elektoral, por dakordësim me institucionet e BE-së.
Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit Niko Peleshi gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, sipas të cilit Shqipëria ka shënuar ritmin më të shpejtë të avancimit drejt Bashkimit Europian.
Teksa foli për sfidat parlamentare për Shqipërinë e vitit 2030, Peleshi theksoi se Kuvendi synon të shërbejë si model për standardin etik dhe kulturën parlamentare në nivelin e vendeve të Bashkimit Europian.
“Jemi për të ngritur standardin etik, kulturën parlamentare në nivelin e klubit ku duam të anëtarësohemi. Evropa ka qenë fokusi i sesionit të kaluar. Gjatë vitit të fundit Shqipëria shënoi rekord me ritmin më të shpejtë të avancimit drejt BE si nga pikëpamja e hapjes së negociatave ashtu edhe nga përmbushja e detyrimeve teknike dhe institucione. Në 17 nëntor përfundoi hapja e negociatave. Tani objektiv mbetet mbyllja e tyre deri në 2027 një objektiv i lehtë të thuhet por i vështirë të realizohet shumë ambicioz dhe nuk di me kë vend tjetër mund ta krahasojmë këtë ritëm të pritshëm. Ajo që na bën të ndihemi optimistë është se nuk është një datë e fiksuar nga ne, nuk është një premtim elektoral, por një datë e dakordësuar me institucionet e BE-së”, u shpreh Peleshi.











