Mangësitë e vazhdueshme dhe të përsëritura të konstatuara në hetimin e çështjeve nga prokurori Besim Hajdarmataj, si dhe mosveprimi i tij në cilësinë e drejtuesit për procedime të tjera lidhur me sasi të mëdha hashashi, u vlerësuan prej Kolegjit në cënim të besimit të publikut tek drejtësia. Penalizuese u gjetën edhe mungesat financiare dhe mbajtja e gjendjes cash jashtë limit të lejuar.
Nga Edmond Hoxhaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli më 4 gusht ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ish-drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj që ishte konfirmuar më parë në detyrë. Ndryshe nga Komisioni, Kolegji vlerësoi se me problemet e përsëritura të vërejtura në aspektin professional Hajdarmataj kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Penalizuese u konsideruan edhe balancat negative në kriterin e pasurisë dhe mbajtja e likujditeteve cash në shtëpi tej vlerës së lejuar.
Më 16 tetor 2019 KPK vendosi ta konfirmojë prokurorin Besim Hajdarmataj duke konkluduar se nga hetimi i thellë për pasurinë nuk kishte gjetur elemente shkarkuese. Gjithashtu, nuk u gjetën probleme penalizuese as për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, por një çështje u transferua për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD.
Vendimi i Komisionit u ankimua nga Komisioneri Publik Darjel Sina, bazuar në një rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që konstatonte mangësi në hetimin e çështjeve dhe rol të dobët kontrollues kur Hajdarmataj ishte drejtues. ONM ngriti pikëpyetje edhe për vendbanimin e subjektit në një apartament së bashku me familjarët.
Shqyrtimi i çështjes në Kolegj u zhvillua me “nota të nxehta” mes vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs dhe prokurorit Hajdarmataj. Jacobs ngriti dyshime për fshehje pasurie dhe e cilësoi të turpshme moskryerjen e hetimeve për tonelata drogë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur ky institucion drejtohej nga Besim Hajdarmataj. Ky i fundit u shpreh se ishte ndier i fyer nga qëndrimi i Jacobs dhe theksoi se gjatë karrierës së tij ishte karakterizuar nga përgjegjshmëria dhe kurajoja.
Lidhur me dyshimet për apartamentin Hajdarmatajt theksoi nuk mund të përbënte problem bashkëjetesa me anëtarët e familjes së origjinës, por nëse ai do të kishte pasur mënyrë jetese të llojit mondan.
Cënimi i besimit të publikut
Lidhur me një procedim penal të regjistruar në Prokurorinë e Kurbinit, ku Hajdarmataj ka pasur rolin e drejtuesit dhe prokurorit që ka hetuar çështjen, Komisioneri Publik pretendoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur qëllim të hetojë çështjen në mënyrë shteruese, pasi ka anashkaluar një sërë veprimesh procedurale të nevojshme hetimore. Gjithashtu është ngritur dyshim se subjekti ka pasur njohje me një prej të denoncuarve, për të cilin nuk ja ë kryer hetime.
Rasti I hetuar prej Hajdarmatajt është denoncuar nga një punonjës i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, NjMLF, pranë komisariatit të rrethit Kurbin më 04 maj 2010. Gjatë ushtrimit të kontrollit nga ana e tij dhe inspektorëve të kontrollit të këtij institucioni, janë sekuestruar pesë makineri lojërash fati të tipit “APEX” të përdorura për ushtrimin e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme në një ambient publik. Gjatë transportimit të pajisjeve të lojërave të fatit, me një mjet transporti të institucionit për në Tiranë, grupi i kontrollit të Njësisë është ndaluar nga disa persona të cilët kanë kërcënuar të gjithë zyrtarët e pranishëm dhe kanë vjedhur makineritë duke i ngarkuar në një kamion tjetër.
Gjatë rrugës për në komisariatin e Kurbinit, denoncuesi ka marrë një telefonatë nga M. L., i cili e kishte paralajmëruar “të harronte punën e tij dhe të mos e raportonte ngjarjen në polici”, duke e kërcënuar se përndryshe “ai do të kishte pasoja”. Po i njëjti zyrtar ka raportuar se, pasi ka mbërritur në komisariatin e Kurbinit, ka parë një kamion për të cilin ka treguar targën, ku ishin ngarkuar pesë kompjuter të vjetër, të cilët ishin sjellë për t’i zëvendësuar dhe ishin të ndryshëm nga ata të konfiskuar në Peshkopi, nga grupi i tij i kontrollit.
Nga verifikimi i dosjes, ka rezultuar se nga momenti i regjistrimit të procedimit penal më datë 7 maj 2010, deri në momentin kur është vendosur pushimi i hetimeve më datë 27 korrik 2011 nga prokuroria nuk është kryer asnjë veprim tjetër procedural. “Të vetmet veprime janë ato të kryera nga Komisariati i Policisë Kurbin”, citohet në vendimin e Kolegjit.
Po ashtu, konstatohet se nuk është kryer hetim lidhur me kërcënimin e denoncuesit nga M.L, ndërkohë që në vendimin e pushimit, subjekti i rivlerësimit vë në dyshim rrethanat e kallëzuara nga zyrtarët shtetërorë. Arsyetimi i Hajdarmatajt nuk është konsideruar bindës, pasi nuk është kryer asnjë veprim hetimor dhe denoncuesi nuk është vendosur në dijeni për pushimin e hetimeve.
Megjithëse dosja është arkivuar në korrik të vitit 2011, shkresa përcjellëse e vendimit të pushimit drejtuar NjMLF-së, Tiranë është dërguar rreth një vit e gjysmë më vonë.
“Në këtë procedim penal, dukshëm ka shumë situata të pahetuara nga subjekti i rivlerësimit, të cilat duheshin sqaruar me pikënisje materialin kallëzues të shtetasit V. B.”, konstaton trupi gjykues.
Hajdramataj ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë lidhje me shtetasin M.L., i denoncuar për kërcënim në këtë ngjarje. Subjekti ka sqaruar se thjesht e njeh vetëm si person.
Ndryshe nga pretendimet e Komisionerit se miqësia e subjektit me M.L. konfirmohej nga komunikimet telefonike, Kolegji ka verifikuar të dhënat e dërguara nga “Vodafone” dhe ka konkluduar se Hajdarmataj nuk i ka kthyer asnjë lloj përgjigje mesazheve të shtetasit në fjalë.
Lidhur me pretendimin e Komisionerit për udhëtimet jashte shtetit me M.L., Kolegji vëren se nuk mund të konkludohet me siguri nëse kanë udhëtuar bashkërisht, për sa kohë një linjë ajrore mund të ketë në bord dhjetëra apo qindra persona që udhëtojnë në të njëjtin destinacion.
Në përfundim të analizës së këtij shkaku ankimi, Kolegji konkludon se subjekti i rivlerësimit ka treguar mangësi në kryerjen e hetimeve në funksion të zbardhjes së ngjarjes, si dhe ka pamundësuar ushtrimin e të drejtave të kallëzuesve për të ankimuar vendimin e marrë prej tij për pushimin e çështjes.
Hajdarmataj është penalizuar në cilësinë e drejtuesit të ish-Prokuorisë për Krime të Rënda, edhe për mangësitë gjetura në hetimin e dy çështjeve trafik narkotikësh në sasi të mëdha, të kryera nga dy prokurorët B.D.dhe D.P..
Kolegji vlerëson se mosveprimi i subjektit të rivlerësimit për të udhëzuar prokurorët vartës lidhur me ecurinë e procedimeve penale, tregon mosrespektim të detyrimeve që i njeh ligji, si dhe mosangazhim ndaj vlerave profesionale.
“[…]tregon për mangësi në ushtrimin e funksioneve drejtuese në çështje të cilat për shkak të sasive shumë të mëdha të lëndës narkotike të sekuestruar, ashtu edhe për shkak të hetimeve me karakter transnacional, duhej të kishin një vëmendje e kujdes të shtuar të subjektit, veçanërisht në situatën shumë sensitive në drejtim të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike” vlerëson KPA.
Një çështje tjetër për trafikim të narkotikëve, është marrë përsipër nga Hajdarmataj pasi janë kryer disa muaj hetime nga prokurori G.T.. Në vendim thuhet se ka mungesë dokumentacioni për kalimin e çështjes nga prokurori G.T. tek subjekti rivlerësimit, i cili rezulton të ketë shpallur moskompetencën rreth një vit pas regjistrimit të procedimit penal.
Mungesë dokumentacioni është vërejtur edhe lidhur me transferimin e një çështje në ngarkim të një gjyqtareje që po hetohej për shpërdorim detyre nga prokurorja e Durrësit E.B., kur subjekti ka qenë drejtues në atë prokurori.
Kolegji vëren se subjekti i rivlerësimit ka ndërmarrë vendimin e shpalljes së moskompetencës, duke e marrë çështjen nga prokurorja e ngarkuar, E. B., dhe duke ngarkuar veten si prokuror i çështjes. KPA e cilëson të paplotë vendimarrjen e Hajdarmatajt për shpalljen e moskompetencës, për të cilën vlerëson se ka shmangur vënien para përgjegjësisë sipas ligjit të gjyqtares që ishte nënën hetim.
Kolegji konkludon se gabimet e përsëritura në mënyrë të vazhdueshme dhe në praktika të ndryshme duhet të vlerësohen negativisht. Në vlerësimin tërësor të të gjitha konstatimeve Kolegji arrin në përfundimin se Hajdarmataj me veprimtarinë e tij, ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Në cënim të besimit të publikut janë konsideruar edhe kontaktet me dy shtetas me precedentë penalë, megjithëse nuk kanë rezultuar të përfshirë në krimin e organizuar.
Problemet për pasurinë
Komisioneri Publik ngriti si shkak në ankim mbajtjen në banesë të gjendjes cash përtej limit të lejuar 1.5 milionë lekë, konstatim që u vlerësua i drejtë dhe nga Kolegji. “[…]subjekti i rivlerësimit jo vetëm nuk duhej të mbante gjendje cash jashtë sistemit bankar në shumën mbi 1,5 milionë lekë, por duhej t’i formalizonte në sistemin bankar, si dhe të provonte me dokumentacion të bashkëlidhur veprimin bankar të këtij depozitimi”, vlerëson trupi gjykues.
Gjithashtu, Sina e konsideroi të pabazuar në fakte konkluzionin e KPK se diferenca negative e likujditeteve ishte në vlerën 980 mijë lekë. Komisioneri Publik pretendoi se nuk duhet të ishin marrë në konsideratë pretendimet e subjektit lidhur me të ardhurat nga përfitimi financiar i shërbimit të transportit dhe shpenzimet e jetesës dhe se në këto kushte ai rezulton me balancë negative më të madhe.
Deklaratat noteriale të kolegëve të subjektit se ata kanë udhëtuar së bashku dhe kanë ndarë shpenzimet, janë konsideruar jo bindëse nga Kolegji. Sipas truoit gjykues, deklaratat e kryera gjatë procesit të vetingut krijojnë bindjen se janë konceptuar në favor të deklarimeve të subjektit.
Këto vlera nuk janë përfshirë në analizën fiannciare të kryer në Kolegj prej nga ka rezlutuar balancë negative në shumën 1 milionë lekë gjatë periudhës 2010-2013.
Po ashtu, Kolegji konkludon se nuk është provuar mundësia e vëllait që jeton në Angli, për të blerë apartamentin që përdoret edhe nga prokurori Hajdarmataj, si dhe për dhurimin e shumave 6000 euro dhe 4000 paund gjatë viteve 2006-2009.